Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 26:17-30 Bibla Shqip (ALBB)

17. Do ta kthej fytyrën time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t'ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t'ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush.

18. Dhe në qoftë se edhe mbas kësaj nuk më dëgjoni, unë do t'ju dënoj shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja.

19. Do ta thyej kryelartësinë e forcës suaj, do ta bëj qiellin tuaj si hekur dhe tokën tuaj si bakër.

20. Forca juaj do të konsumohet më kot, sepse toka juaj nuk do të japë më prodhimet e saj, dhe drurët e fushës nuk do të japin më frutat e tyre.

21. Dhe në rast se silleni si armiq të mi dhe nuk doni të më dëgjoni, unë do t'ju godas shtatë herë më tepër me plagë, sipas mëkateve tuaja.

22. Do të dërgoj kundër jush bishat e fushës, që do të rrëmbejnë fëmijët tuaj, do të shfarosin bagëtinë tuaj, do t'ju pakësojnë shumë dhe do t'i bëjnë të shkreta rrugët tuaja.

23. Dhe në se, me gjithë këto gjëra, nuk do të ndreqeni për t'u kthyer tek unë, por me sjelljen tuaj

24. silleni si armiq të mi, edhe unë do të bëhem armiku juaj, dhe do t'ju godas shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja.

25. Dhe do të sjell kundër jush shpatën që do të kryejë hakmarrjen e besëlidhjes sime; ju do të mblidheni në qytetet tuaja, por unë do të dërgoj në mes jush murtajën dhe do të bini në duart e armikut.

26. Kur do t'ju heq bukën e gojës, dhjetë gra do të pjekin bukën tuaj në të njëjtën furrë dhe do të racionojnë bukën tuaj, duke e shpërndarë me peshë; ju do të hani, por nuk do të ngopeni.

27. Dhe në se, me gjithë këtë nuk do të më dëgjoni, por do të silleni si armiq të mi,

28. edhe unë do të bëhem armiku i juaj plot mëri dhe do t'ju dënoj shtatë herë më shumë për mëkatet tuaja.

29. Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të hani mishin e bijave tuaja.

30. Unë do të shkatërroj vendet tuaja të larta, do të rrëzoj idhujt tuaj dhe do t'i hedh kufomat tuaja mbi gërmadhat pa jetë të idhujve tuaj; dhe do t'ju urrej.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 26