Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 26:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. "Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

2. Do të respektoni të shtunat e mia dhe do të respektoni shenjtëroren time. Unë jam Zoti.

3. Në rast se silleni sipas statuteve të mia, në se respektoni urdhrat e mia dhe i zbatoni në praktikë,

4. unë do t'ju jap shirat sipas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre.

5. Të shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

6. Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t'ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqija dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj.

7. Ju do t'i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.

8. Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata.

9. Unë do të kthehem nga ju, do t'ju bëj pjellorë dhe do t'ju shumëzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen time me ju.

10. Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t'i bërë vend prodhimit të ri.

11. Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t'ju përzë.

12. Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 26