Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 25:31-50 Bibla Shqip (ALBB)

31. Shtëpitë e fshatrave të parrethuara me mure do të konsiderohen përkundrazi si tokë bujqësore; mund të shpengohen dhe me rastin e jubileut do të jenë të shpenguara.

32. Për sa u përket qyteteve të levitëve, levitët do të mund të riblejnë gjithnjë shtëpitë e qyteteve që ishin pronë e tyre.

33. Në rast se pastaj dikush ble një shtëpi nga levitët, shtëpia e shitur në qytet që është pronë e tyre do të shpengohet vitin e jubileut, sepse shtëpitë e qyteteve të levitëve janë pronë e tyre, në mes të bijve të Izraelit.

34. Por tokat e kullotës të qyteteve të tyre nuk mund të shiten, sepse janë pronë e përjetshme e tyre.

35. Në rast se vëllai yt varfërohet dhe ndodhet ngushtë në mes tuaj, ti do ta përkrahësh si të huaj dhe si mik që të mund të jetojë pranë teje.

36. Mos nxirr nga ai asnjë përfitim ose dobi; por ki frikë nga Perëndia yt, dhe vëllai yt do të jetojë pranë teje.

37. Nuk do t'i japësh hua paratë e tua me kamatë, as do t'i japësh ushqimet e tua për të nxjerrë ndonjë përfitim.

38. Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit që t'ju jap vendin e Kanaanit dhe që të jem Perëndia juaj.

39. Në rast se vëllai yt që jeton pranë teje bëhet i varfër dhe shitet te ti, nuk do ta detyrosh të të shërbejë si skllav,

40. por do të rrijë pranë teje si argat dhe si mik; do të të shërbejë deri në vitin e jubileut.

41. Atëherë do të largohet prej teje, ai dhe bijtë e tij, dhe do të kthehet në familjen e tij; kështu do të rifitojë pronën e etërve të tij.

42. Sepse ata janë shërbëtorët e mi, që unë i kam nxjerrë nga vendi i Egjiptit; nuk duhet, pra, të shiten si shiten skllevërit.

43. Nuk do ta sundosh me ashpërsi, por të kesh frikë Perëndinë tënd.

44. Sa për skllavin dhe skllaven që mund të kesh, do t'i marrësh nga kombet që ju rrethojnë; prej tyre do të blini skllavin dhe skllaven.

45. Mund të blini gjithashtu skllevër ndër bijtë e të huajve që jetojnë midis jush dhe midis familjeve të tyre që gjenden midis jush dhe që kanë lindur në vendin tuaj; ata do të jenë pronë e juaj.

46. Dhe mund t'ua lini si trashëgim bijve tuaj pas jush, si pronë e tyre; mund t'i shfrytëzoni si skllevër përgjithnjë; por, sa për vëllezërit tuaj, bijtë e Izraelit, askush nuk do të sundojë mbi tjetrin me ashpërsi.

47. Në rast se një i huaj që jeton pranë teje pasurohet dhe vëllai yt që jeton pranë tij varfërohet, dhe i shitet të huajit ose mikut që ndodhet pranë teje, ose dikujt nga familja e të huajit,

48. pas shitjes së tij, mund të blihet përsëri; mund ta riblejë një nga vëllezërit e tij.

49. Mund ta riblejë ungji i tij ose biri i ungjit të tij; mund të riblihet nga një i afërt i po atij gjaku; ose po të ketë mjetet, mund të shpengohet vet.

50. Do të bëjë llogarinë me blerësin e tij, qysh prej vitit që iu shit atij deri në vitin e jubileut; dhe çmimi që do të paguhet do të llogaritet në bazë të numrit të viteve, duke i vlerësuar ditët e tij si ato të një argati.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 25