Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 25:16-31 Bibla Shqip (ALBB)

16. Sa më tepër vite mbeten, aq më tepër do ta ngresh çmimin; sa më pak vite mbeten, aq më shumë do ta ulësh çmimin; sepse ai të shet në bazë të numrit të korrjeve.

17. Asnjë nga ju të mos dëmtojë fqinjin e tij, por të keni frikë nga Perëndia juaj; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

18. Ju do të vini në zbatim statutet e mia, do të respektoni dekretet e mia dhe do t'i zbatoni; kështu do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

19. Toka do të prodhojë frytet e saj dhe ju do t'i hani sa të ngopeni, dhe do të banoni të sigurt në të.

20. Por në rast se thoni: "Çfarë do të hamë vitin e shtatë, po nuk mbollëm dhe nuk korrëm prodhimet tona?".

21. Unë kam urdhëruar që bekimi im të vijë mbi ju vitin e gjashtë, dhe ai do t'ju japë një korrje që do të mjaftojë për tre vjet.

22. Kështu vitin e tetë do të mbillni dhe do të hani nga korrja e vjetër deri në vitin e nëntë; do të hani nga korrja e vjetër derisa të vijë e reja.

23. Tokat nuk do të shiten përgjithnjë, sepse toka është imja; sepse ju jeni të huaj dhe qiramarrës tek unë.

24. Prandaj në të gjithë vendin që keni pronë do të jepni të drejtën e shpengimit të tokës.

25. Në qoftë se yt vëlla bëhet i varfër dhe shet një pjesë të pronës së tij, ai që ka të drejtën e shpengimit, i afërti i tij më i ngushtë, do të vijë dhe do të shpengojë atë që vëllai i tij ka shitur.

26. Dhe në qoftë se dikush nuk ka njeri që të mund ta shpengojë pronën e tij, por arrin të gjejë vetë shumën e nevojshme për shpengimin,

27. do të numërojë vitet që kaluan dhe do t'i japë blerësit shumën e viteve që mbeten akoma, dhe do të rifitojë kështu pronën e tij.

28. Por në qoftë se nuk është në gjendje ta shpengojë pronën e tij, ajo që ka shitur do të mbetet në dorë të blerësit deri në vitin e jubileut; atë vit do të shpengohet dhe do të kthehet në zotërim të tij.

29. Në rast se dikush shet një shtëpi në një qytet të rrethuar me mure, ai ka të drejtë ta shpengojë gjatë një viti të tërë mbas shitjes se saj; e drejta e riblerjes zgjat një vit të tërë.

30. Por në qoftë se shtëpia që ndodhet në qytetin e rrethuar me mure nuk është riblerë para se të ketë kaluar një vit i tërë, ajo do të mbetet përgjithnjë pronë e blerësit dhe e trashëgimtarëve të tij; nuk do të shpengohet me rastin e jubileut.

31. Shtëpitë e fshatrave të parrethuara me mure do të konsiderohen përkundrazi si tokë bujqësore; mund të shpengohen dhe me rastin e jubileut do të jenë të shpenguara.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 25