Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 25:11-25 Bibla Shqip (ALBB)

11. Viti i pesëdhjetë do të jetë për ju një jubile; nuk do të mbillni dhe nuk do të korrni atë që rritet vetiu dhe nuk do të vilni vreshtat e pakrasitur.

12. Sepse është jubileu; ai do të jetë i shenjtë për ju; do të hani prodhimet që ju japin arat.

13. Në këtë vit të jubileut secili do të kthehet në pronën e vet.

14. Në rast se i shisni diçka fqinjit tuaj, ose blini diçka nga fqinji juaj, nuk do t'i bëni asnjë të padrejtë njëri-tjetrit.

15. Do të blesh nga fqinji yt në bazë të numrit të viteve që kanë kaluar mbas jubileut, dhe ai do të të shesë në bazë të numrit të viteve të korrjes.

16. Sa më tepër vite mbeten, aq më tepër do ta ngresh çmimin; sa më pak vite mbeten, aq më shumë do ta ulësh çmimin; sepse ai të shet në bazë të numrit të korrjeve.

17. Asnjë nga ju të mos dëmtojë fqinjin e tij, por të keni frikë nga Perëndia juaj; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

18. Ju do të vini në zbatim statutet e mia, do të respektoni dekretet e mia dhe do t'i zbatoni; kështu do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

19. Toka do të prodhojë frytet e saj dhe ju do t'i hani sa të ngopeni, dhe do të banoni të sigurt në të.

20. Por në rast se thoni: "Çfarë do të hamë vitin e shtatë, po nuk mbollëm dhe nuk korrëm prodhimet tona?".

21. Unë kam urdhëruar që bekimi im të vijë mbi ju vitin e gjashtë, dhe ai do t'ju japë një korrje që do të mjaftojë për tre vjet.

22. Kështu vitin e tetë do të mbillni dhe do të hani nga korrja e vjetër deri në vitin e nëntë; do të hani nga korrja e vjetër derisa të vijë e reja.

23. Tokat nuk do të shiten përgjithnjë, sepse toka është imja; sepse ju jeni të huaj dhe qiramarrës tek unë.

24. Prandaj në të gjithë vendin që keni pronë do të jepni të drejtën e shpengimit të tokës.

25. Në qoftë se yt vëlla bëhet i varfër dhe shet një pjesë të pronës së tij, ai që ka të drejtën e shpengimit, i afërti i tij më i ngushtë, do të vijë dhe do të shpengojë atë që vëllai i tij ka shitur.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 25