Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 23:36-44 Bibla Shqip (ALBB)

36. Shtatë ditë me radhë do t'i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. Ditën e tetë do të keni një mbledhje të shenjtë dhe do t'i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. Është dita e kuvendit madhështor, nuk do të bëni gjatë kësaj dite asnjë punë të rëndë.

37. Këto janë festat e Zotit që ju do t'i shpallni si mbledhje të shenjta, për t'i ofruar Zotit një flijim të bërë me zjarr, një holokaust dhe një blatim ushqimi, një viktimë dhe libacione, çdo gjë në ditën e caktuar,

38. përveç të shtunave të Zotit, përveç dhuratave dhe kushteve tuaja sipas dëshirës që do t'i paraqisni Zotit.

39. Përveç kësaj ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë, kur të keni vjelur prodhimet e tokës, do të kremtoni një festë për Zotin shtatë ditë me radhë; dita e parë do të jetë një ditë pushimi dhe dita e tetë do të jetë gjithashtu një ditë pushimi.

40. Ditën e parë do të mblidhni frutat e drurëve madhështorë: degë palme, degë me gjethe të dendura dhe shelgje përrenjsh, dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Perëndisë tuaj, shtatë ditë me radhë.

41. Do ta kremtoni këtë festë për nder të Zotit shtatë ditë për çdo vit. Është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj. Do ta kremtoni muajin e shtatë.

42. Do të banoni në kasolle shtatë ditë me radhë; të gjithë ata që kanë lindur në Izrael do të banojnë në kasolle,

43. me qëllim që pasardhësit tuaj të dinë që unë i kam detyruar bijtë e Izraelit të banojnë në kasolle, kur i nxora nga vendi i Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

44. Kështu Moisiu u njoftoi bijve të Izraelit festat e Zotit.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 23