Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 23:2-17 Bibla Shqip (ALBB)

2. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Ja festat e Zotit, që ju do t'i shpallni si mbledhje të shenjta. Festat e mia janë këto:

3. Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë është një e shtunë pushimi dhe mbledhjeje të shenjtë. Atë ditë nuk do të bëni asnjë punë; është e shtuna e shenjtëruar Zotit në të tëra vendet ku do të banoni.

4. Këto janë festat e Zotit, mbledhjet e shenjta që ju do t'i shpallni në kohën e tyre.

5. Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit, midis dy mbrëmjeve, bien Pashkët e Zotit;

6. dhe ditën e pesëmbëdhjetë të po atij muaji bie festa e bukës së ndorme për nder të Zotit; për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme.

7. Ditën e parë do të bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë;

8. dhe për shtatë ditë do t'i ofroni Zotit flijime të bëra me zjarr. Ditën e shtatë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; gjatë asaj dite nuk do të bëni asnjë punë të rëndë".

9. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

10. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap dhe do të kryeni të korrat, do t'i çoni priftit një demet si prodhim i parë i korrjes suaj;

11. Ai do ta tundë demetin përpara Zotit për ju, me qëllim që të pëlqehet; prifti do ta tundë një ditë pas së shtunës.

12. Ditën gjatë së cilës do të tundni demetin, do t'i ofroni një qengj motak, pa të meta, si holokaust për Zotin.

13. Blatimi i ushqimit që do ta shoqërojë do të jetë dy të dhjeta të efës majë mielli të përzier me vaj, si flijim i bërë me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin; libacioni do të jetë një çerek hin verë.

14. Nuk do të hani as bukë, as grurë të pjekur, as kallëza të freskëta, deri në atë ditë, derisa të mos keni çuar ofertën e Perëndisë tuaj. Ky është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaja, në të gjitha vendet ku do të banoni.

15. Nga dita pas së shtunës, domethënë nga dita që keni çuar demetin e ofertës së tundur, do të numëroni shtatë të shtuna të plota.

16. Do të numëroni pesëdhjetë ditë deri në ditën pas së shtunës së shtatë, pastaj do t'i ofroni Zotit një blatim të ri ushqimi.

17. Do të çoni në banesat tuaja dy bukë për një ofertë të tundur prej dy të dhjeta të efës majë mielli; ato do të jenë pjekur me maja, si prodhime të para të ofruara për Zotin.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 23