Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 23:11-27 Bibla Shqip (ALBB)

11. Ai do ta tundë demetin përpara Zotit për ju, me qëllim që të pëlqehet; prifti do ta tundë një ditë pas së shtunës.

12. Ditën gjatë së cilës do të tundni demetin, do t'i ofroni një qengj motak, pa të meta, si holokaust për Zotin.

13. Blatimi i ushqimit që do ta shoqërojë do të jetë dy të dhjeta të efës majë mielli të përzier me vaj, si flijim i bërë me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin; libacioni do të jetë një çerek hin verë.

14. Nuk do të hani as bukë, as grurë të pjekur, as kallëza të freskëta, deri në atë ditë, derisa të mos keni çuar ofertën e Perëndisë tuaj. Ky është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaja, në të gjitha vendet ku do të banoni.

15. Nga dita pas së shtunës, domethënë nga dita që keni çuar demetin e ofertës së tundur, do të numëroni shtatë të shtuna të plota.

16. Do të numëroni pesëdhjetë ditë deri në ditën pas së shtunës së shtatë, pastaj do t'i ofroni Zotit një blatim të ri ushqimi.

17. Do të çoni në banesat tuaja dy bukë për një ofertë të tundur prej dy të dhjeta të efës majë mielli; ato do të jenë pjekur me maja, si prodhime të para të ofruara për Zotin.

18. Së bashku me këto bukë do të ofroni shtatë qengja motakë pa të meta, një dem të vogël dhe dy desh; ata do të jenë një holokaust për Zotin së bashku me blatimet e tyre ushqimore dhe me libacionet e tyre; do të jetë një flijim me erë të këndshme i bërë me zjarr për Zotin.

19. Pastaj do të ofroni një cjap si fli për mëkatin dhe dy qengja motakë si flijim falënderimi.

20. Prifti do t'i tundë bashkë me bukën e prodhimit të parë dhe me dy qengjat, si ofertë e tundur përpara Zotit; ata do t'i shenjtërohen Zotit dhe do t'i takojnë priftit.

21. Po atë ditë do të shpallni një mbledhje të shenjtë. nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë. Është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, në të gjitha vendet ku do të banoni.

22. Kur do të korrni të mbjellat e tokës suaj, nuk do të korrni deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mblidhni kallinjtë që kanë mbetur pas; do t'i lini për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

23. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

24. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Në muajin e shtatë, ditën e parë të muajit do të bëni një pushim solemn, një kremtim festiv të njoftuar me buri, një mbledhje të shenjtë.

25. Nuk do të bëni në atë ditë asnjë punë të rëndë dhe do t'i ofroni Zotit disa flijime të bëra me zjarr".

26. Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

27. "Dita e dhjetë e këtij muaji të shtatë do të jetë dita e shlyerjes së mëkateve. Do të ketë për ju një mbledhje të shenjtë; do të përulni shpirtin tuaj dhe do t'i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 23