Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 16:20-34 Bibla Shqip (ALBB)

20. Kur të ketë mbaruar së kryeri shlyerjen për shenjtëroren, për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të afrojë cjapin e gjallë.

21. Aaroni do të vendosë të dyja duart e tij mbi kokën e cjapit të gjallë dhe do të rrëfejë mbi të tërë padrejtësitë e bijve të Izraelit, të gjitha shkeljet e tyre, tërë mëkatet e tyre, dhe do t'i vërë mbi kokën e cjapit; pastaj do ta çojë në shkretëtirë me anë të një njeriu të zgjedhur enkas.

22. Cjapi do të mbartë mbi vete në tokë të vetmuar të gjitha padrejtësitë e tyre dhe ai njeri do ta lërë të shkojë në shkretëtirë.

23. Pastaj Aaroni do të hyjë në çadrën e mbledhjes, do të zhveshë rrobat e tij prej liri që kishte veshur për të hyrë në shenjtërore dhe do t'i lërë aty.

24. Do të lajë trupin e tij me ujë në një vend të shenjtë, do të veshë rrobat e tij dhe do të dalë për të ofruar holokaustin e tij dhe holokaustin e popullit, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për popullin.

25. Pastaj do të tymosë mbi altar dhjamin e flijimit për mëkatin.

26. Ai që e ka lëshuar cjapin, e zgjedhur si cjap fajshlyes, do të lajë rrobat e tij dhe trupin e tij me ujë dhe, mbas kësaj mund të kthehet në kamp.

27. Do të çohen pas kësaj jashtë kampit demi i vogël i flijimit për mëkatin dhe cjapi i flijimit për mëkatin, gjaku i të cilit është çuar në shenjtërore për të bërë shlyerjen; dhe do të djegin në zjarr lëkurët, mishin dhe ndyrësitë e tyre.

28. Pastaj ai që i djeg do të lajë rrobat dhe trupin e tij me ujë; pas kësaj, ai mund të kthehet në kamp.

29. Ky do të jetë për ju një ligj i përjetshëm: në muajin e shtatë, ditën e dhjetë të muajit, do të përulni shpirtrat tuaj dhe nuk do të kryeni asnjë punë, as ai që ka lindur në vend as i huaji që banon midis jush.

30. Sepse atë ditë prifti do të bëjë shlyerjen për ju, për t'ju pastruar, me qëllim që të jeni të pastruar nga tërë mëkatet tuaja përpara Zotit.

31. Është për ju një e shtunë madhështore pushimi dhe ju do të përulni shpirtrat tuaj; është një ligj i përjetshëm.

32. Prifti, që është vajosur dhe që është shenjtëruar për të shërbyer si prift në vend të atit të tij, do të bëjë shlyerjen dhe do të veshë rrobat prej liri, rrobat e shenjta.

33. Ai do të bëjë shlyerjen për shenjtëroren e shenjtë; do të bëjë shlyerjen për çadrën e mbledhjes dhe për altarin, do të bëjë njëkohësisht shlyerjen për priftërinjtë dhe për tërë popullin e asamblesë.

34. Ky do të jetë për ju një ligj i përjetshëm, për të shlyer mëkatet e bijve të Izraelit për të gjitha mëkatet e tyre, një herë në vit". Dhe Moisiu bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 16