Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 16:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti i foli Moisiut mbas vdekjes së dy bijve të Aaronit, që vdiqën kur u paraqitën para Zotit me zjarr të ndaluar.

2. Zoti i tha Moisiut: "Foli Aaronit, vëllait tënd, dhe thuaji të mos hyjë në çfarëdo kohe në shenjtërore, përtej perdes, përpara pajtuesit që ndodhet mbi arkë, që të mos vdesë, sepse unë do të shfaqem në renë mbi pajtuesin.

3. Aaroni do të hyjë në shenjtërore në këtë mënyrë; do të marrë një dem të vogël për flijimin për mëkatin dhe një dash për holokaustin.

4. Do të veshë tunikën e shenjtë prej liri dhe do të mbajë mbi trupin e tij pantallona prej liri; do të ngjeshë brezin prej liri dhe do ta vërë mbi kokë çallmën prej liri. Këto janë veshjet e shenjta; ai do t'i veshë pasi ta ketë larë trupin me ujë.

5. Nga asambleja e bijve të Izraelit do të marrë dy cjep për flijimin e mëkatit dhe një dash për holokaustin.

6. Aaroni do të ofrojë demin e vogël për flijimin e mëkatit, që e ka për vete, dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij.

7. Pastaj do t'i marrë të dy cjeptë dhe do t'i paraqesë përpara Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes.

8. Aaroni do t'i hedhë në short dy cjeptë: njëri prej tyre do të caktohet për Zotin dhe tjetri do të shërbejë si cjap për shlyerjen e fajit.

9. Aaroni do të afrojë cjapin e caktuar për Zotin dhe do ta ofrojë si flijim për mëkatin;

10. por cjapi i caktuar si cjap fajshlyes do të paraqitet i gjallë para Zotit, me qëllim që mbi të të bëhet shlyerja dhe për ta çuar pastaj në shkretëtirë si cjap fajshlyes.

11. Aaroni do të ofrojë, pra, demin e vogël të flijimit për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për vete dhe për shtëpinë e tij; dhe do ta therë demin e vogël të flijimit për mëkatin për vete.

12. Pastaj do të marrë një temjanicë plot me qymyr të ndezur të marrë nga altari përpara Zotit dhe do t'i ketë duart e tij të mbushura me temjan të parfumuar në pluhur, dhe do të çojë çdo gjë matanë velit.

13. Do ta vërë temjanin mbi zjarr përpara Zotit, me qëllim që reja e temjanit të mbulojë pajtuesin që është mbi dëshminë; kështu ai nuk do të vdesë.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 16