Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 14:8-22 Bibla Shqip (ALBB)

8. Ai që duhet të pastrohet do të lajë rrobat e tij, do të rruajë tërë qimet e tij, do të lahet në ujë dhe do të jetë i pastër. Pas kësaj mund të hyjë në kamp, por do të qëndrojë shtatë ditë jashtë çadrës së tij.

9. Ditën e shtatë do të rruajë tërë qimet e kokës së tij, të mjekrës së tij dhe të vetullave të tij; do të rruajë shkurt të gjitha qimet e tij. Do të lajë rrobat e tij dhe do të lajë trupin e tij në ujë dhe do të jetë i pastër.

10. Ditën e tetë do të marrë dy qengja pa të meta, një qengj femër njëvjeçar pa të meta, tri të dhjeta efe majë mielli, të përziera me vaj, si një ofertë ushqimi, dhe një log vaji;

11. dhe prifti që kryen pastrimin do të paraqesë atë që duhet të pastrohet dhe të gjitha këto gjëra para Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes.

12. Pastaj prifti do të marrë një qengj dhe do ta ofrojë si flijim riparimi, me logun e vajit, dhe do t'i tundë si një ofertë e tundur para Zotit.

13. Do ta therë pastaj qengjin në vendin ku theren flijimet për mëkatin dhe holokaustet, në vendin e shenjtë, sepse si flijim riparimi i përket priftit, kështu është flijimi për mëkatin; është gjë shumë e shenjtë.

14. Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi i riparimit dhe do ta vërë në skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.

15. Pastaj prifti do të marrë pak vaj nga logu dhe do ta derdhë mbi pëllëmbën e dorës së tij të majtë;

16. pastaj prifti do të ngjyejë gishtin e dorës së tij të djathtë në vajin që ka në dorën e majtë dhe me gishtin do të spërkatë shtatë herë pak vaj përpara Zotit.

17. Dhe nga mbetja e vajit që ka në dorë, prifti do të vërë pak në skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë, në vendin ku ka vënë gjakun e flijimit të riparimit.

18. Mbetjen e vajit që ka në dorë, prifti do ta vërë mbi kokën e atij që duhet të pastrohet; kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen përpara Zotit.

19. Pastaj prifti do të ofrojë flijimin për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për atë që do të pastrohet nga papastërtia e tij; pas kësaj do të therë holokaustin.

20. Prifti do të ofrojë holokaustin dhe blatimin e ushqimit mbi altar; kështu ai do të ketë mundësi të bëjë për të shlyerjen dhe ai do të jetë i pastër.

21. Në rast se ky person është i varfër dhe nuk mund t'i sigurojë këto gjëra, do të marrë vetëm një qengj për ta ofruar si flijim për shkeljen e kryer, si një ofertë të tundur, për të bërë shlyerjen

22. dhe dy turtuj apo dy pëllumba të rinj, sipas mundësive të tij; njëri do të jetë për flijimin për mëkatin dhe tjetri për holokaustin.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 14