24. Dhe prifti do të marrë qengjin e flijimit për shkeljen dhe logun e vajit, dhe do t'i tundë si një ofertë e tundur përpara Zotit.
25. Pastaj do të therë qengjin e flijimit për shkeljen e kryer. Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi për shkeljen dhe do ta vërë në skajin e veshit të djathtë të atij që do të pastrohet mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.
26. Prifti do të derdhë pak vaj mbi pëllëmbën e dorës së tij të majtë.
27. Dhe me gishtin e dorës së tij të djathtë, prifti do të spërkasë shtatë herë pak nga vaji që ka në dorën e tij të majtë përpara Zotit.
28. Pastaj prifti do të vërë pak nga vaji që ka në dorë mbi skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e tij të madh të dorës së djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë, në vendin ku ka vënë gjakun e flijimit të shkeljes.
29. Mbetjen e vajit që ka në dorë, prifti do ta vërë mbi kokën e atij që do të pastrohet, për të bërë shlyerjen për atë përpara Zotit.
30. Pastaj do të ofrojë një nga turtujt a një nga të dy pëllumbat e rinj, sipas mundësive të tij;
31. do të ofrojë atë që ka mundur të sigurojë, njërin si flijim për mëkatin dhe tjetrin si holokaust, bashkë me blatimin e ushqimit; kështu prifti do të bëjë shlyerjen përpara Zotit për atë që do të pastrohet.
32. Ky është ligji për atë që është prekur nga plaga e lebrës dhe nuk ka mjetet për të siguruar atë që kërkohet për pastrimin e tij".
33. Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke thënë: