Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 13:34-46 Bibla Shqip (ALBB)

34. Ditën e shtatë prifti do të kontrollojë qeren; dhe në qoftë se qerja nuk është përhapur mbi lëkurë dhe nuk duket më e thellë se lëkura, prifti do ta shpallë të pastër; ai do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i pastër.

35. Por në qoftë se, pasi është shpallur i pastër, qerja është përhapur mbi lëkurë,

36. prifti do ta kontrollojë atë; në qoftë se qerja është përhapur mbi lëkurë, prifti nuk duhet të kërkojë qimen e verdhë; ai është i papastër.

37. Por në qoftë se qerja duket se është ndaluar dhe në të janë rritur qime të zeza, qerja është shëruar; ai është i pastër dhe prifti do ta shpallë të pastër.

38. Në rast se një burrë apo një grua ka mbi lëkurën e trupit të tij njolla të shndritshme, veçanërisht njolla të shndritshme bardhoshe,

39. prifti do t'i shqyrtojë; dhe në qoftë se njollat e shndritshme mbi lëkurën e trupit të tyre kanë një ngjyrë të bardhë të zbehtë, është një erupsion të lëkurës; ai është i pastër.

40. Në rast se një njeriu i bien flokët e kokës, është tullac, por është i pastër.

41. Në rast se i bien flokët mbi ballë, është tullac mbi ballë, por i pastër.

42. Por në rast se në pjesën tullace të kokës ose të ballit shfaqet një plagë e bardhë-kuqalashe, është lebër, që ka shpërthyer mbi kokë apo mbi ballë.

43. Prifti do ta shqyrtojë; dhe në qoftë se ënjtja e plagës mbi pjesën tullace të kokës apo të ballit është e bardhë-kuqalashe, njëlloj si lebra mbi lëkurën e trupit,

44. është lebros; është i papastër, dhe prifti do ta shpallë atë të papastër, për shkak të plagës mbi kokën e tij.

45. Lebrosi, i prekur nga kjo plagë, do të veshë rroba të grisura dhe do ta mbajë kokën të zbuluar; do të mbulojë mjekrën e tij dhe do të bërtasë: "papastër, papastër".

46. Do të jetë i papastër tërë kohën që do të ketë plagën; është i papastër; do të jetojë vetëm; do të banojë jashtë kampit.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 13