Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 13:14-27 Bibla Shqip (ALBB)

14. Por ditën që do të dalë mbi të mish i gjallë, ai do të shpallet i papastër.

15. Kur prifti ka për të parë mishin e gjallë, do ta shpallë atë të papastër; mishi i gjallë është i papastër; është lebër.

16. Por në rast se mishi i gjallë ndryshon përsëri dhe bëhet i bardhë, ai duhet të shkojë te prifti;

17. dhe prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se plaga është bërë e bardhë, prifti do të shpallë të pastër atë që ka plagën; ai është i pastër.

18. Kur mbi lëkurën e trupit zhvillohet një ulcerë, dhe ajo është shëruar,

19. dhe në vendin e ulcerës formohet një ënjtje e bardhë ose një njollë e shndritshme e bardhë-kuqalashe, kjo duhet t'i tregohet priftit.

20. Prifti do ta ekzaminojë; në qoftë se njolla duket më e thellë se lëkura dhe qimja e saj është bërë e bardhë, prifti do ta shpallë atë të papastër; është plagë lebre që ka shpërthyer në ulcerë.

21. Por në rast se prifti, duke e ekzaminuar, sheh që në njollë nuk ka qime të bardha dhe që ajo nuk është më e thellë se lëkura dhe është pakësuar, ai do ta izolojë shtatë ditë.

22. Në rast se njolla zgjerohet mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të papastër; është një plagë lebre.

23. Por në rast se njolla ka mbetur në vend dhe nuk është zgjeruar, ajo është mbresë e ulcerës dhe prifti do ta shpallë të pastër.

24. Në rast se dikush pëson mbi lëkurën e tij një djegie të shkaktuar nga zjarri, dhe mishi i gjallë i djegies bëhet një njollë e shndritshme, e bardhë-kuqalashe, ose e bardhë,

25. prifti do ta shqyrtojë; dhe në qoftë se qimja e njollës është bërë e bardhë dhe njolla duket më e thellë se lëkura, është lebër që ka shpërthyer në djegien. Prifti do ta shpallë të papastër; është plagë lebre.

26. Por në rast se prifti, duke shqyrtuar, sheh që nuk ka qime të bardhë në njollë dhe që kjo nuk është më e thellë se lëkura, por është pakësuar, prifti do ta izolojë shtatë ditë atë njeri.

27. Ditën e shtatë, prifti do ta kontrollojë; dhe në qoftë se njolla është përhapur edhe më mbi lëkurë, prifti do ta shpallë të papastër; është plagë lebre.

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 13