Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 10:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Pastaj Nadabi dhe Abihu, bij të Aaronit, morën secili temjanicën e vet, i vunë brenda zjarr, vendosën mbi të temjanin dhe ofruan para Zotit një zjarr të palejueshëm, që ai nuk ua kishte urdhëruar.

2. Atëherë një zjarr doli nga prania e Zotit dhe i përpiu ata; dhe ata vdiqën përpara Zotit.

3. Prandaj Moisiu i tha Aaronit: "Kjo është ajo për të cilën foli Zoti, duke thënë: "Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlëvduar përpara tërë popullit"". Dhe Aaroni heshti.

4. Pastaj Moisiu thirri Mishaelin dhe Eltsafanin, bij të Uzielit, ungj i Aaronit, dhe u tha atyre: "Afrohuni dhe largoni vëllezërit tuaj nga pjesa e përparme e shenjtërores, jashtë kampit".

5. Kështu ata u afruan dhe i larguan ata të veshur me tunikat e tyre, jashtë kampit, siç kishte thënë Moisiu.

6. Pastaj Moisiu u tha Aaronit, Eleazarit dhe Ithamarit, bij të tij: "Mos e zbuloni kokën tuaj dhe mos i grisni rrobat tuaja që të mos vdisni, dhe që Zoti të mos zemërohet kundër tërë asamblesë; por vëllezërit tuaj, e tërë shtëpia e Izraelit, të mbajnë zi për zjarrin që ka ndezur Zoti.

7. Mos u largoni nga hyrja e çadrës së mbledhjes që të mos vdisni, sepse vaji i vajosjes së Zotit është mbi ju". Dhe ata bënë ashtu si kishte thënë Moisiu.

8. Zoti i foli akoma Aaronit, duke thënë:

9. "Mos pini verë as pije dehëse as ti as bijtë e tu, kur do të hyni në çadrën e mbledhjes, që të mos vdisni; do të jetë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj,

10. me qëllim që të mundni të dalloni midis të shenjtit dhe profanit, midis të papastrit dhe të pastrit,

11. dhe të mundni t'u mësoni bijve të Izraelit të gjitha ligjet, që Zoti u ka dhënë atyre me anë të Moisiut".

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 10