Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Levitiku 1:1-12 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti thirri Moisiun dhe i foli nga çadra e mbledhjes, duke thënë:

2. "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur dikush nga ju sjell një ofertë për Zotin, sillni si fli tuajën një kafshë të marrë nga kopeja e bagëtisë së trashë ose të imët.

3. Në rast se oferta e tij është një holokaust i një koke bagëtie nga kopeja, le të ofrojë një mashkull pa të meta; ta çojë në hyrjen e çadrës së mbledhjes me vullnetin e tij përpara Zotit.

4. Do të vërë pastaj dorën e tij mbi kokën e holokaustit, që do të pranohet në vend të tij, për të shlyer dënimin në vend të tij.

5. Pastaj do të therë demin e vogël para Zotit; dhe priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të sjellin gjakun dhe do ta spërkatin rreth e qark altarit, që ndodhet në hyrje të çadrës së mbledhjes;

6. do ta rrjepë holokaustin dhe do ta presë në copa.

7. Dhe bijtë e priftit Aaron do të vënë zjarr mbi altar dhe do të sistemojnë drutë mbi zjarrin.

8. Pastaj priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të vendosin copat, kokën dhe dhjamin mbi drutë e vëna mbi zjarrin që gjendet mbi altarin;

9. por do t'i lajnë me ujë zorrët dhe këmbët, dhe prifti do të tymosë çdo gjë mbi altar, si një holokaust, një flijim që është bërë me zjarr me erë të këndshme për Zotin.

10. Në qoftë se oferta e tij është një holokaust nga kopeja: dele ose dhi, të ofrojë një mashkull pa të meta.

11. Do ta therë nga krahu verior i altarit, përpara Zotit; dhe priftërinjtë, bijtë e Aaronit, do të spërkasin gjakun e tij rreth e qark altarit.

12. Pastaj do ta presë në copa bashkë me kokën dhe dhjamin e tij, dhe prifti do t'i vërë mbi drutë që ndodhen mbi zjarrin që është mbi altar;

Lexoni kapitullin e plotë Levitiku 1