Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Kantiku i Kantikëve 4:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Sytë e tu prapa velit tënd janë si ato të pëllumbeshave; flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin në malin Galaad.

2. Dhëmbët e tua janë si një kope delesh të qethura, që kthehen nga vendi i larjes; të gjitha kanë binjakët e tyre dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë.

3. Buzët e tua janë si një fije e kuqe flakë, dhe goja jote është e këndshme; tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege.

4. Qafa jote është si kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat të njerëzve trima.

5. Të dy gjinjtë e tu janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve.

6. Përpara se flladi i ditës të ndihet dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit.

7. Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë.

8. Eja me mua nga Libani, o nusja ime, eja me mua nga Libani! Shiko nga maja e Amanas, nga maja e Senirit dhe e Hermonit, nga strofkat e luanëve dhe nga malet e leopardëve.

9. Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate.

10. Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat!

11. Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë, mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde, dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit.

Lexoni kapitullin e plotë Kantiku i Kantikëve 4