1. Unë jam trëndafili i Sharonit, zambaku i luginave.
2. Si një zambak midis gjembave, ashtu është mikesha ime midis vajzave.
3. Si një mollë midis pemëve të pyllit kështu është i dashuri im midis të rinjve. Kam dëshiruar shumë të rri në hijen e tij dhe aty jam ulur, fryti i tij ishte i ëmbël në gojën time.
4. Më çoi në shtëpinë e banketit dhe flamuri i tij mbi mua është dashuria.
5. Më mbani me pite rrushi, më përtërini me mollë, sepse unë vuaj nga dashuria.
6. Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon.
7. Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, derisa kështu t'i pëlqejë
8. Ja zëri i të dashurit tim! Ja, ai vjen duke kërcyer mbi malet, duke u hedhur mbi kodrat.
9. I dashuri im i përngjan një gazele apo një dreri të ri. Ja ku është prapa murit tonë, shikon nga dritaret, hedh vështrime nëpërmjet hekurave të tyre.
10. I dashuri im më ka folur dhe më ka thënë: "Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!
11. Sepse, ja, dimri ka kaluar, shiu pushoi, iku.
12. Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi, dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës.
13. Fiku nxjerr fiqtë e tij të papjekur, vreshtat në lulëzim përhapin një aromë të këndshme. Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja.