Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 9:1-15 Bibla Shqip (ALBB)

1. Me të mësuar këto gjëra, tërë mbretërit që ndodheshin këtej Jordanit, në krahinën malore, në fushat dhe gjatë bregut të Detit të Madh në drejtim të Libanit, hiteu, amoreu, kanaaneu, perezeu, hiveu dhe jebuseu,

2. u mblodhën bashkë në besëlidhje midis tyre për të luftuar kundër Jozueut dhe Izraelit.

3. Por kur banorët e Gabaonit mësuan atë që Jozueu kishte bërë në Jeriko dhe në Ai,

4. vepruan me dinakëri dhe u nisën gjoja si ambasadorë; ata ngarkuan mbi gomarët e tyre thasë të vjetra të konsumuara dhe kacekë të vjetër të shqyer dhe të arnuar për të transportuar verën,

5. dhe mbathën sandale të vjetra dhe të grisura dhe veshën trupin me rroba të përdorura; dhe e gjithë buka e tyre ishte e fortë dhe e thërrmuar.

6. U paraqitën kështu para Jozueut në kampin e Gigalit dhe i thanë atij dhe tërë njerëzve të Izraelit: "Ne kemi ardhur nga një vend i largët; prandaj bëni aleancë me ne".

7. Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën kështu hivenjve: "Ndoshta banoni në mes nesh; si mund të lidhim aleancë me ju?".

8. Ata i thanë Jozueut: "Ne jemi shërbëtorë të tu!". Jozueu u tha atyre: "Kush jeni dhe nga vini?".

9. Atëherë ata u përgjigjën: "Shërbëtorët e tu kanë ardhur nga një vend shumë i largët, për shkak të emrit të Zotit, Perëndisë tënd, sepse kemi dëgjuar të flitet për të dhe për të gjitha ato që ka bërë në Egjipt,

10. ashtu edhe për të gjitha ato që u ka bërë dy mbretërve të amorenjve matanë Jordanit, Sihonit, mbretit të Heshbonit, dhe Ogut, mbretit të Bashanit, që banonte në Ashtaroth.

11. Prandaj pleqtë tanë dhe të gjithë banorët e vendit tonë na thanë: Merrni nozullime me vete për udhëtimin, u dilni përpara dhe u thoni: "Ne jemi shërbëtorët tuaj; bëni, pra, aleancë me ne".

12. Kjo është buka jonë që morëm të ngrohtë me vete si rezervë nga shtëpitë tona ditën që u nisëm për të ardhur tek ju, dhe tani është bërë e fortë dhe e thërrmuar;

13. dhe këta janë calikët e verës që ishin të rinj kur i mbushëm dhe ja, ku janë prishur; dhe ja, rrobat dhe sandalet tona, që janë ngrënë për shkak të udhëtimit shumë të gjatë".

14. Atëherë njerëzit e Izraelit morën disa nga nozullimet e tyre, por pa u konsultuar me Zotin.

15. Kështu Jozueu lidhi paqe me ta dhe nënshkroi një besëlidhje në bazë të së cilës ata mbeteshin të gjallë; dhe krerët e asamblesë u detyruan të betohen për këto gjëra.

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 9