Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 6:10-22 Bibla Shqip (ALBB)

10. Jozueu kishte urdhëruar popullin, duke i thënë: "Mos bërtitni, të mos dëgjohet as zëri juaj dhe të mos dalë asnjë fjalë nga goja juaj, deri ditën kur do t'ju them: "Bërtisni!". Atëherë do të bërtisni".

11. Kështu arka e Zotit u soll rreth qytetit një herë; pastaj u kthyen në kamp dhe aty e kaluan natën.

12. Jozueu u ngrit herët në mëngjes, dhe priftërinjtë morën arkën e Zotit.

13. Shtatë priftërinjtë, që mbanin shtatë boritë prej briri të dashit përpara arkës së Zotit, shkonin përpara dhe u binin borive. Njerëzit e armatosur marshonin para tyre, kurse praparoja vinte mbas arkës së Zotit; gjatë marshimit priftërinjtë u binin borive.

14. Ditën e dytë marshuan vetëm një herë rreth qytetit dhe pastaj u kthyen në kamp. Kështu vepruan gjashtë ditë me radhë.

15. Por ditën e shtatë u ngritën herët, në agim, dhe marshuan rreth qytetit në të njëjtën mënyrë shtatë herë; vetëm atë ditë marshuan shtatë herë rreth qytetit.

16. Herën e shtatë, kur priftërinjtë u ranë borive, Jozueu i tha popullit: "Bërtisni, sepse Zoti ju dha qytetin!

17. Qyteti do të shfaroset, ai dhe çdo gjë që është në të. Vetëm prostituta Rehab do të shpëtojë, ajo dhe gjithë ata që janë bashkë me të në shtëpi, sepse ajo fshehu vëzhguesit që ne kishim dërguar.

18. Por ju kini shumë kujdes lidhur me atë që është caktuar të shfaroset, që të mos jeni ju vetë të mallkuar, duke marrë diçka që është caktuar të shfaroset, dhe ta bëni kështu kampin e Izraelit të mallkuar, duke tërhequr mbi të fatkeqësi.

19. Por i gjithë argjendi, ari dhe sendet prej bronzi dhe hekuri i shenjtërohen Zotit; do të hyjnë në thesarin e Zotit".

20. Populli, pra, bërtiti kur priftërinjtë u ranë borive; dhe ndodhi që, kur populli dëgjoi tingullin e borive, nxori një britmë të madhe dhe muret u rrëzuan duke u shembur. Populli u ngjit në qytet, secili drejt, përpara, dhe e shtiu në dorë atë.

21. Dhe shfarosën gjithçka ishte në qytet, duke vrarë me shpatë burra e gra, fëmijë dhe pleq e madje qe, dele dhe gomarë.

22. Pastaj Jozueu u tha dy burrave që kishin vëzhguar vendin: "Shkoni në shtëpinë e asaj prostitute dhe nxirrni jashtë gruan dhe tërë ato gjëra që i përkasin asaj, siç i jeni betuar".

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 6