5. Ndërsa tërë populli që kishte dalë nga Egjipti ishte rrethprerë, tërë populli që kishte lindur në shkretëtirë gjatë rrugës mbas daljes nga Egjipti, nuk ishte rrethprerë.
6. Në fakt bijtë e Izraelit kishin ecur dyzet vjet nëpër shkretëtirë derisa tërë populli, domethënë luftëtarët që kishin dalë nga Egjipti, u shkatërruan, sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit. Atyre Zoti u ishte betuar që nuk do t'u tregonte vendin që do t'u jepte etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë.
7. Kështu Jozueu i rrethpreu bijtë e tyre, që Perëndia i kishte vënë në vend të tyre, sepse ishin të parrethprerë, sepse nuk ishin rrethprerë gjatë rrugës.
8. Kur mbaroi rrethprerja e tërë meshkujve, ata qëndruan atje ku ishin, në kamp, derisa u shëruan.
9. Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Sot ju hoqa turpërimin e Egjiptit", dhe ai vend u quajt Gilgal deri në ditët e sotme.
10. Bijtë e Izraelit e ngritën kampin e tyre në Gilgal dhe e kremtuan Pashkën ditën e katërmbëdhjetë të muajit, në të ngrysur, në fushat e Jerikos.
11. Të nesërmen e Pashkës hëngrën prodhime të vendit, bukë të ndorme dhe grurë të pjekur po atë ditë.
12. Të nesërmen hëngrën prodhime të vendit, mana mbaroi; kështu bijtë e Izraelit nuk patën më manë, por atë vit hëngrën frytet e vendit të Kanaanit.
13. Por ndodhi që, ndërsa Jozueu ishte afër Jerikos, ngriti sytë dhe shikoi, dhe ja, një njeri i qëndronte përpara, me në dorë një shpatë të zhveshur. Jozueu i doli përballë dhe i tha: "A je ti për ne o për armiqtë tanë?".
14. Ai u përgjigj: "Jo, unë jam kreu i ushtrisë së Zotit; sapo kam arritur në këtë çast". Atëherë Jozueu ra përmbys para tij dhe tha: "Çfarë dëshiron t'i thotë Zotëria im shërbëtorit të tij?".
15. Kreu i ushtrisë së Zotit i tha Jozueut: "Zbath sandalet, sepse vendi ku je është i shenjtë". Dhe Jozueu veproi ashtu.