9. Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku ishin ndalur këmbët e priftërinjve që mbanin arkën e besëlidhjes; dhe aty kanë mbetur deri më sot.
10. Priftërinjtë që mbanin arkën u ndalën në mes të Jordanit derisa u plotësua tërësisht ajo që i kishte urdhëruar Zoti Jozueut t'i thoshte popullit, në bazë të të gjitha atyre që Moisiu i kishte urdhëruar
11. Kur tërë populli mbaroi së kaluari, arka e Zotit dhe priftërinjtë kaluan në prani të popullit.
12. Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kaluan të armatosur në krye të bijve të Izraelit, ashtu siç u kishte thënë Moisiu.
13. Rreth dyzet mijë njerëz me veshje lufte kaluan para Zotit në fushat e Jerikos, gati për të luftuar.
14. Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij.
15. Pastaj Zoti i foli Jozueut dhe i tha:
16. "Urdhëro priftërinjtë që mbajnë arkën e Dëshmisë të dalin nga Jordani".
17. Atëherë Jozueu urdhëroi priftërinjtë duke u thënë: "Dilni nga Jordani".
18. Dhe ndodhi që kur priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani dhe tabanët e këmbëve të tyre shkelën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vendin e tyre dhe filluan të rrjedhin si më parë në lartësinë e brigjeve të tij.
19. Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe ngriti kampin e tij në Gilgal, në skajin lindor të Jerikos.