Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 4:8-24 Bibla Shqip (ALBB)

8. Bijtë e Izraelit bënë pikërisht ashtu si i kishte urdhëruar Jozueu: morën dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, ashtu si e kishte porositur Zoti Jozueun, në bazë të numrit të fiseve të Izraelit, dhe i morën me vete matanë lumit në vendin ku do të kalonin natën, dhe i vendosën aty.

9. Jozueu ngriti gjithashtu dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, në vendin ku ishin ndalur këmbët e priftërinjve që mbanin arkën e besëlidhjes; dhe aty kanë mbetur deri më sot.

10. Priftërinjtë që mbanin arkën u ndalën në mes të Jordanit derisa u plotësua tërësisht ajo që i kishte urdhëruar Zoti Jozueut t'i thoshte popullit, në bazë të të gjitha atyre që Moisiu i kishte urdhëruar

11. Kur tërë populli mbaroi së kaluari, arka e Zotit dhe priftërinjtë kaluan në prani të popullit.

12. Bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kaluan të armatosur në krye të bijve të Izraelit, ashtu siç u kishte thënë Moisiu.

13. Rreth dyzet mijë njerëz me veshje lufte kaluan para Zotit në fushat e Jerikos, gati për të luftuar.

14. Po atë ditë, Zoti e bëri të madh Jozueun në sytë e tërë Izraelit, dhe banorët e tij patën frikë nga ai ashtu si patën frikë nga Moisiu gjatë gjithë ditëve të jetës së tij.

15. Pastaj Zoti i foli Jozueut dhe i tha:

16. "Urdhëro priftërinjtë që mbajnë arkën e Dëshmisë të dalin nga Jordani".

17. Atëherë Jozueu urdhëroi priftërinjtë duke u thënë: "Dilni nga Jordani".

18. Dhe ndodhi që kur priftërinjtë që mbanin arkën e besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani dhe tabanët e këmbëve të tyre shkelën tokën e thatë, ujërat e Jordanit u kthyen në vendin e tyre dhe filluan të rrjedhin si më parë në lartësinë e brigjeve të tij.

19. Populli doli nga Jordani ditën e dhjetë të muajit të parë dhe ngriti kampin e tij në Gilgal, në skajin lindor të Jerikos.

20. Ata dymbëdhjetë gurë që i kishin marrë nga Jordani, Jozueu i çoi në Gilgal.

21. Pastaj u foli bijve të Izraelit dhe u tha atyre: "Kur në të ardhmen bijtë tuaj do t'i pyesin etërit e tyre duke thënë: "Ç'janë këta gurë?",

22. ju do t'ua bëni të ditur bijve tuaj, duke thënë: "Izraeli e kaloi këtë Jordan në të thatë,

23. sepse Zoti, Perëndia juaj, i thau ujërat e Jordanit para jush derisa të kalonit, ashtu si Zoti, Perëndia juaj, veproi në Detin e Kuq, të cilin e thau para nesh derisa të kalonim,

24. me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme, dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj"". i Pashkës

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 4