Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 22:21-33 Bibla Shqip (ALBB)

21. Atëherë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u përgjigjën dhe u thanë krerëve të ndarjeve të Izraelit:

22. "Zoti Perëndia i perëndive, Zoti Perëndia i perëndive! Ai e di, bile edhe Izraeli do ta mësojë. Në qoftë se e bëmë për rebelim ose për mosbesnikëri ndaj Zotit, mos na kurseni në këtë ditë.

23. Në rast se kemi ndërtuar një altar për të mos e ndjekur më Zotin ose për të ofruar mbi të holokaustet apo blatime ushqimore, ose për të bërë mbi të flijime falënderimi, le të na kërkojë llogari vetë Zoti!

24. Por në të vërtetë ne e bëmë këtë me frikë, për një arsye, duke menduar që në të ardhmen pasardhësit tuaj mund t'u thoshin pasardhësve tanë: "Çfarë ju lidh me Zotin, Perëndinë e Izraelit?

25. Zoti e ka vënë Jordanin si kufi midis jush dhe nesh, o bij të Rubenit, o bij të Gadit; ju nuk keni asnjë pjesë te Zoti". Kështu pasardhësit tuaj mund t'i largojnë pasardhësit tanë nga frika e Zotit.

26. Prandaj thamë: "Le të ndërtojmë një altar, jo për holokauste as për flijime,

27. por që të shërbejë si dëshmi midis jush dhe nesh dhe midis pasardhësve tanë pas nesh, në mënyrë që të mund të kryejmë shërbimin e Zotit përpara tij, me holokaustet tona, flijimet tona dhe ofertat tona të falënderimit, me qëllim që pasardhësit tuaj të mos u thonë një ditë pasardhësve tanë: Ju nuk keni asnjë pjesë tek Zoti".

28. Prandaj thamë: Në rast se ndodh që një ditë të na thonë këtë neve ose pasardhësve tanë, atëherë do të përgjigjemi: Shikoni formën e altarit të Zotit që ndërtuan etërit tanë, jo për holokauste as për flijime, por që të shërbejë si dëshmitar midis nesh dhe jush.

29. Nuk na ka shkuar mendja të ngremë krye kundër Zotit dhe as të heqim dorë nga bindja ndaj Zotit, duke ndërtuar një altar për holokaustet, për blatimet e ushqimit ose për flijimet, përveç altarit të Zotit, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tabernakullit të tij!".

30. Kur prifti Finehas dhe princat e asamblesë, krerët e ndarjeve të Izraelit që ishin me të, dëgjuan fjalët që thanë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe bijtë e Manasit, mbetën të kënaqur.

31. Atëherë Finehasi, bir i priftit Eleazar, u tha bijve të Rubenit, të Gadit dhe të Manasit: "Sot pranojmë që Zoti është midis nesh, sepse ju nuk keni kryer këtë shkelje ndaj Zotit; kështu i keni shpëtuar bijtë e Izraelit nga dora e Zotit".

32. Pastaj Finehasi, bir i priftit Eleazar dhe princat i lanë bijtë e Rubenit dhe të Gadit, dhe vendin e Galaadit, dhe u kthyen në vendin e Kanaanit pranë bijve të Izraelit, të cilëve u treguan ngjarjen.

33. Kjo gjë u pëlqeu bijve të Izraelit, dhe bijtë e Izraelit bekuan Perëndinë, dhe nuk folën më të shkojnë për të luftuar kundër bijve të Rubenit dhe të Gadit dhe të shkatërronin vendin në të cilin ata banonin.

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 22