Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 22:13-24 Bibla Shqip (ALBB)

13. Atëherë bijtë e Izraelit u dërguan bijve të Rubenit, bijve të Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit, në vendin e Galaadit, Finehasin, birin e priftit Eleazar,

14. dhe bashkë me të dhjetë princa, një princ për çdo shtëpi atërore të fiseve të ndryshme të Izraelit; secili prej tyre ishte kreu i një shtëpie atërore midis ndarjeve të Izraelit.

15. Ata shkuan te bijtë e Rubenit, te bijtë e Gadit dhe te gjysma e fisit të Manasit në vendin e Galaadit dhe folën me ta, duke thënë:

16. "Kështu thotë tërë asambleja e Zotit: "Ç'është kjo shkelje që keni kryer kundër Perëndisë së Izraelit, duke mos e ndjekur më sot Zotin, duke ndërtuar një altar për të ngritur krye sot kundër Zotit?

17. Mos qe vallë gjë e vogël paudhësia e Peorit, nga e cila nuk jemi larë ende deri më sot dhe që solli një fatkeqësi mbi asamblenë e Zotit,

18. që ju shtyn sot të mos e ndiqni Zotin? Sepse, po të jetë se sot ngrini krye kundër Zotit, nesër ai do të zemërohet kundër tërë asamblesë së Izraelit.

19. Në qoftë se e konsideroni të papastër vendin që zotëroni, mund të kaloni në vendin që është pronë e Zotit, ku ndodhet tabernakulli i Zotit, dhe të banoni midis nesh; por mos ngrini krye kundër Zotit dhe kundër nesh, duke ndërtuar një altar përveç atij të Zotit, Perëndisë tonë.

20. Kur Akani, bir i Zerahut, kreu një shkelje në gjërat e caktuara të shfarosen, a nuk tërhoqi vallë zemërimin e Zotit mbi gjithë asamblenë e Izraelit? Dhe ai njeri nuk qe i vetmi që gjeti vdekjen në paudhësinë e tij"".

21. Atëherë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u përgjigjën dhe u thanë krerëve të ndarjeve të Izraelit:

22. "Zoti Perëndia i perëndive, Zoti Perëndia i perëndive! Ai e di, bile edhe Izraeli do ta mësojë. Në qoftë se e bëmë për rebelim ose për mosbesnikëri ndaj Zotit, mos na kurseni në këtë ditë.

23. Në rast se kemi ndërtuar një altar për të mos e ndjekur më Zotin ose për të ofruar mbi të holokaustet apo blatime ushqimore, ose për të bërë mbi të flijime falënderimi, le të na kërkojë llogari vetë Zoti!

24. Por në të vërtetë ne e bëmë këtë me frikë, për një arsye, duke menduar që në të ardhmen pasardhësit tuaj mund t'u thoshin pasardhësve tanë: "Çfarë ju lidh me Zotin, Perëndinë e Izraelit?

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 22