Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 2:1-11 Bibla Shqip (ALBB)

1. Jozueu, bir i Nunit, dërgoi dy burra te Shitimi për të vëzhguar fshehurazi, duke u thënë: "Shkoni, kontrolloni vendin dhe Jerikon". Kështu ata shkuan dhe hynë në shtëpinë e një prostitute, të quajtur Rahab, dhe aty banuan.

2. Këtë gjë ia referuan mbretit të Jerikos, duke i thënë: "Ja, disa bij të Izraelit erdhën këtu sonte natën për të vëzhguar vendin".

3. Atëherë mbreti i Jerikos dërgoi t'i thotë Rahabit: "Nxirri jashtë njerëzit që kanë ardhur te ti dhe kanë hyrë në shtëpinë tënde, sepse ata kanë ardhur për të vëzhguar tërë vendin".

4. Por gruaja i mori dy burrat dhe i fshehu; pastaj tha: "Është e vërtetë, këta njerëz erdhën tek unë, por nuk dija nga ishin.

5. Në çastin kur mbyllej porta e qytetit, kur ishte errësuar, ata burra dolën; nuk e di se ku shkuan; ndiqini menjëherë, sepse mund t'i arrini".

6. (Ajo përkundrazi i kishte hipur mbi çati dhe i kishte fshehur midis kërcejve të lirit, që i kishte shtrirë mbi shtrat).

7. Atëherë ata i ndoqën në rrugën e Jordanit, në drejtim të vaut të lumit; dhe sapo dolën ndjekësit, porta u mbyll.

8. Por para se t'i zinte gjumi spiunët, Rahabi u ngjit pranë tyre në çati,

9. dhe u tha atyre burrave: "Unë e di që Zoti ju ka dhënë vendin, që tmerri juaj na ka zënë, dhe që të gjithë banorët e vendit dridhen nga frika para jush.

10. Sepse ne kemi dëgjuar si i thau ujërat e Detit të Kuq Zoti përpara jush kur dolët nga Egjipti, dhe atë që ju u bëtë dy mbretërve të amorenjve, matanë Jordanit, Sihonit dhe Ogut, që vendosët t'i shfarosni.

11. Duke dëgjuar këto gjëra zemra jonë u mpak, për shkakun tuaj askujt nuk i mbeti asnjë fije trimërie, sepse Zoti, Perëndia juaj, është Perëndi atje lart në qiejt dhe këtu poshtë në tokë.

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 2