Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 17:4-18 Bibla Shqip (ALBB)

4. Ato u paraqitën para priftit Eleazar, para Jozueut, birit të Nunit, dhe para princave, duke thënë: "Zoti urdhëroi Moisiun që të na japë një trashëgimi në mes të vëllezërve tanë". Dhe Jozueu u dha një trashëgimi në mes të vëllezërve të atit të tyre, sipas urdhrit të Zotit.

5. Kështu i ranë dhjetë pjesë Manasit, përveç vendit të Galaadit dhe të Bashanit që ndodheshin matanë Jordanit;

6. në fakt bijat e Manasit morën një trashëgimi në mes të bijve të tij, dhe vendi i Galaadit iu caktua bijve të tjerë të Manasit.

7. Kufiri i Manasit shtrihej nga Asheri në Mikmethsah, që ndodheshin përballë Sikemit, pastaj kthente nga e djathta në drejtim të banorëve të En-Tapuahut.

8. Vendi i Tapuahut i përkiste Manasit; por Tapuahu në kufi të Manasit ishte pronë e bijve të Efraimit.

9. Pastaj kufiri zbriste në përruan Kanah, në jug të përroit; këto qytete që ishin pronë e Efraimit ngriheshin në mes të qyteteve të Manasit; por kufiri i Manasit ndodhej në krahun verior të përroit dhe mbaronte në det.

10. Territori në jug i përkiste Efraimit, kurse ai në veri ishte pronë e Manasit, dhe deti ishte kufiri i tyre; në veri kufizoheshin me Asherin dhe në lindje me Isakarin.

11. Përveç kësaj, në territorin e Isakarit dhe në atë të Asherit Manasi zotëronte: Beth-Shean me fshatrat e tij, Ibleam me fshatrat e tij, banorët e Dorit me fshatrat e tij, banorët e En-Dorit me fshatrat e tij, banorët e Tanaakut me fshatrat e tij, banorët e Megidos me fshatrat e tij, tri krahina kodrinore.

12. Por bijtë e Manasit nuk mundën t'i pushtojnë ato qytete, sepse kanaanenjtë ishin të vendosur të rrinin në atë vend.

13. Por bijtë e Izraelit u bënë të fortë, nënshtruan kanaanenjtë dhe i robëruan, por nuk i dëbuan krejt.

14. Atëherë bijtë e Jozefit i folën Jozueut dhe i thanë: "Pse na dhe si trashëgimi vetëm një pjesë, vetëm një hise, kur ne jemi një popull i madh që Zoti e ka bekuar deri sot?".

15. Jozueu u tha atyre: "Në rast se jeni një popull i madh në numër, shkoni në pyll dhe hapni tokë të re që të keni tokë në vendin e perezenjve dhe të gjigantëve, sepse krahina malore e Efraimit është tepër e paktë për ju".

16. Por bijtë e Jozefit iu përgjigjën: "Krahina malore nuk na mjafton; dhe të gjithë kanaanenjtë që banojnë në krahinën fushore kanë qerre të hekurta, si ata që janë në Beth-Shean dhe në fshatrat e tij, ashtu dhe ata që banojnë në luginën e Jezreelit".

17. Atëherë Jozueu i foli shtëpisë së Jozefit, Efraimit dhe Manasit, dhe tha: "Ti je një popull i madh në numër dhe ke një forcë të madhe; nuk do të kesh vetëm një pjesë,

18. por edhe krahina malore do të jetë jotja; ndonëse është pyll, ti do ta shpyllëzosh dhe do të jetë jotja deri në skajet e tij më të largëta, sepse ti do t'i dëbosh kanaanenjtë megjithëse kanë qerre të hekurta dhe janë të fortë".

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 17