Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 11:5-18 Bibla Shqip (ALBB)

5. Kështu tërë këta mbretër u bashkuan dhe erdhën në afërsitë e ujërave të Meromit për të ngritur një kamp të përbashkët dhe për të luftuar kundër Izraelit.

6. Por Zoti i tha Jozueut: "Mos u tremb nga ata, sepse nesër në këtë orë ke për t'i parë të gjithë të vrarë para Izraelit. Do të presësh leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe do të djegësh qerret e tyre".

7. Jozueu, pra, dhe gjithë luftëtarët bashkë me të, marshuan papritmas kundër tyre afër ujërave të Meromit dhe i sulmuan;

8. dhe Zoti i dha në duart e izraelitëve, të cilët i mundën dhe i ndoqën deri në Sidonin e madh, deri në ujërat e Misrefothit dhe në luginën e Mitspahut, në drejtim të lindjes; i mundën deri në atë pikë sa nuk lanë të gjallë asnjë prej tyre.

9. Jozueu i trajtoi si i kishte thënë Zoti preu leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe ua dogji qerret.

10. Në po atë periudhë Jozueu u kthye dhe pushtoi Hatsorin, vrau mbretin e tij me shpatë, sepse në të kaluarën Hatsori kishte qenë kryeqyteti i tërë këtyre mbretërive.

11. Vrau me shpatë tërë njerëzit që gjendeshin aty, duke vendosur shfarosjen e tyre; pastaj i vuri flakën Hatsorit.

12. Kështu Jozueu pushtoi tërë qytetet e këtyre mbretërive, zuri mbretërit e tyre dhe i vrau me shpatë, duke vendosur shfarosjen e tyre, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.

13. Por Izraeli nuk u vuri flakën asnjërit prej qyteteve që ngriheshin në kodrinat, me përjashtim të Hatsorit, i vetmi qytet që Jozueu dogji.

14. Bijtë e Izraelit morën për vete tërë plaçkën e këtyre qyteteve dhe bagëtinë, por vranë tërë njerëzit dhe nuk lanë shpirt të gjallë.

15. Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, shërbëtorin e tij, kështu Moisiu urdhëroi Jozueun, dhe ky nuk la pas dore asgjë nga tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

16. Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë atë vend, krahinën malore, tërë Negevin, tërë vendin e Goshenit, ultësirën, Arabahun, krahinën malore të Izraelit dhe ultësirat e tij,

17. nga mali Holak, që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baal-Gad në luginën e Libanit në këmbët e malit Hermon; zuri tërë mbretërit e tyre, i goditi dhe i vrau.

18. Jozueu luftoi gjatë kundër të gjithë këtyre mbretërve.

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 11