Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 11:10-23 Bibla Shqip (ALBB)

10. Në po atë periudhë Jozueu u kthye dhe pushtoi Hatsorin, vrau mbretin e tij me shpatë, sepse në të kaluarën Hatsori kishte qenë kryeqyteti i tërë këtyre mbretërive.

11. Vrau me shpatë tërë njerëzit që gjendeshin aty, duke vendosur shfarosjen e tyre; pastaj i vuri flakën Hatsorit.

12. Kështu Jozueu pushtoi tërë qytetet e këtyre mbretërive, zuri mbretërit e tyre dhe i vrau me shpatë, duke vendosur shfarosjen e tyre, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit.

13. Por Izraeli nuk u vuri flakën asnjërit prej qyteteve që ngriheshin në kodrinat, me përjashtim të Hatsorit, i vetmi qytet që Jozueu dogji.

14. Bijtë e Izraelit morën për vete tërë plaçkën e këtyre qyteteve dhe bagëtinë, por vranë tërë njerëzit dhe nuk lanë shpirt të gjallë.

15. Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, shërbëtorin e tij, kështu Moisiu urdhëroi Jozueun, dhe ky nuk la pas dore asgjë nga tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.

16. Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë atë vend, krahinën malore, tërë Negevin, tërë vendin e Goshenit, ultësirën, Arabahun, krahinën malore të Izraelit dhe ultësirat e tij,

17. nga mali Holak, që ngrihet në drejtim të Seirit, deri në Baal-Gad në luginën e Libanit në këmbët e malit Hermon; zuri tërë mbretërit e tyre, i goditi dhe i vrau.

18. Jozueu luftoi gjatë kundër të gjithë këtyre mbretërve.

19. Nuk pati qytet që të bënte paqe me bijtë e Izraelit, me përjashtim të hivenjve që banonin në Gabaon; i pushtuan të gjitha me luftë.

20. Në fakt ishte Zoti vetë që fortësonte zemrën e tyre që të bënin luftë kundër Izraelit, me qëllim që Izraeli të vendoste shfarosjen e tyre pa asnjë mëshirë për ta, por t'i zhdukte nga faqja e dheut ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

21. Po në këtë periudhë Jozueu u nis në marshim dhe shfarosi anakitët e krahinës malore, ata të Hebronit, të Debirit, të Anabit, të të gjithë krahinës malore të Judës dhe të të gjithë krahinës malore të Izraelit; Jozueu vendosi shfarosjen e tyre të plotë bashkë me qytetet e tyre.

22. Nuk mbetën më anakitë në vendin e bijve të Izraelit; mbetën disa prej tyre vetëm në Gaza, në Gath dhe në Ashod.

23. Kështu Jozueu shtiu në dorë tërë vendin, pikërisht ashtu siç i kishte thënë Zoti Moisiut; Jozueu ia la pastaj si trashëgim Izraelit, sipas ndarjeve të tyre në fise. Dhe kështu vendi pati një pushim nga lufta.

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 11