Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jozueu 10:4-16 Bibla Shqip (ALBB)

4. "Ngjituni tek unë dhe më ndihmoni të sulmoj Gabaonin, sepse ka bërë paqe me Jozueun dhe me bijtë e Izraelit".

5. Kështu pesë mbretërit e amorenjve, mbreti i Jeruzalemit, mbreti i Herbonit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit, u mblodhën, u ngjitën me të gjithë ushtritë e tyre, ngritën kampin e tyre përballë Gabaonit dhe e sulmuan.

6. Atëherë gabaonitët i çuan fjalë Jozueut, që ndodhej në kampin e Gilgalit: "Mos u moho ndihmën shërbëtorëve të tu; nxito të ngjitesh te ne, na shpëto dhe na ndihmo, sepse të gjithë mbretërit e amorenjve që banojnë në krahinën malore janë mbledhur kundër nesh".

7. Kështu Jozueu u ngjit në Gilgal, ai vetë me gjithë luftëtarët, të gjithë luftëtarë trima.

8. Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë nga ata, sepse i kam lënë në duart e tua; asnjë prej tyre nuk do të jetë në gjendje të të rezistojë".

9. Kështu Jozueu u lëshua mbi ta papritmas, sepse kishte marshuar tërë natën nga Gilgali.

10. Kështu Zoti i theu para Izraelit, u shkaktoi një disfatë të madhe pranë Gabaonit, i ndoqi nëpër rrugën që ngjitet në Beth-Horon dhe i mundi deri në Azekah dhe Makedah.

11. Ndërsa iknin përpara Izraelit dhe ndodheshin në tatëpjetën e Beth-Horonit, Zoti hodhi kundër tyre nga qielli gurë të mëdhenj deri në Azekah, dhe ata vdiqën; ata që vdiqën nga breshëri i gurëve ishin më shumë se ata që bijtë e Izraelit vranë me shpatë.

12. Ditën që Zoti i dorëzoi amorenjtë në duart e bijve të Izraelit, Jozueu i foli Zotit dhe në prani të Izraelit tha: "O Diell, ndalu mbi Gabaonin, dhe ti, hënë, në luginën e Ajalonit!".

13. Kështu dielli u ndal dhe hëna qëndroi në vend derisa mbaroi hakmarrja e popullit kundër armiqve të tij. A nuk është shkruar kjo në librin e të Drejtit? Kështu dielli u ndal në mes të qiellit dhe nuk u nxitua të perëndojë pothuajse një ditë të tërë.

14. Dhe nuk pati kurrë, as më parë dhe as më vonë, një ditë si ajo kur Zoti plotësoi dëshirën e zërit të një njeriu, pse Zoti luftoi për Izraelin.

15. Pastaj Jozueu dhe i tërë Izraeli bashkë me të u kthyen në kampin e Gilgalit.

16. Por ata pesë mbretër kishin ikur me vrap dhe ishin fshehur në shpellën e Makedahut.

Lexoni kapitullin e plotë Jozueu 10