Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jobi 7:4-19 Bibla Shqip (ALBB)

4. Sa shtrihem, them: "Kur do të ngrihem?". Por nata është e gjatë dhe jam vazhdimisht i shqetësuar deri në agim.

5. Mishi im është i mbuluar me krimba dhe me buca dheu, lëkura ime plasaritet dhe është bërë e pështirë.

6. Ditët e mia janë më të shpejta se masuri i një endësi dhe po harxhohen pa shpresë.

7. Kujto që jeta ime është një frymë; syri im nuk do të shohë më të mirën.

8. Syri i atij që më shikon nuk do të më shohë më; sytë e tu do të jenë mbi mua, por unë nuk do të jem më.

9. Ashtu si reja davaritet dhe nuk duket më, kështu ai që zbret në Sheol nuk kthehet më;

10. nuk do të kthehet më në shtëpinë e tij, dhe banesa e tij nuk do ta njohë më.

11. Prandaj nuk do ta mbaj gojën të mbyllur do të flas në ankthin e frymës time; do të ankohem në hidhërimin e shpirtit tim.

12. A jam vallë deti apo një përbindësh i detit që ti më ruan me një roje?

13. Kur unë them: "Shtrati im do të më japë një lehtësim, shtroja ime do ta zbusë dhembjen time",

14. ti më tremb me ëndrra dhe më tmerron me vegime;

15. kështu shpirtit tim i parapëlqen të mbytet dhe të vdesë se sa të bëjë këtë jetë.

16. Unë po shpërbëhem; nuk kam për të jetuar gjithnjë; lërmë të qetë; ditët e mia nuk janë veçse një frymë.

17. Ç'është njeriu që ti ta bësh të madh dhe të kujdesesh për të,

18. dhe ta vizitosh çdo mëngjes duke e vënë në provë në çdo çast?

19. Kur do ta heqësh shikimin tënd nga unë dhe do të më lësh të përcjell pështymën time?

Lexoni kapitullin e plotë Jobi 7