Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jobi 33:19-32 Bibla Shqip (ALBB)

19. Njeriu paralajmërohet gjithashtu me dhembjen në shtratin e vet dhe me torturën e pandërprerë të kockave të tij,

20. aq sa i neveritet buka dhe madje edhe ushqimet më të shijshme.

21. Mishi konsumohet sa mbyll e hap sytë, ndërsa kockat e tij, që më parë nuk dukeshin, tani dalin jashtë;

22. kështu shpirti i tij i afrohet gropës dhe jeta e tij atyre që sjellin vdekjen.

23. Por në rast se pranë tij ka një engjëll, një interpretues, një i vetëm ndër një mijë, që t'i tregojë njeriut detyrën e tij.

24. Perëndisë i vjen keq për të dhe thotë: "Kurseje që të mos zbresë në gropë; gjeta shpengimin për të".

25. Atëherë mishi i tij do të bëhet më i freskët se kur ishte fëmijë dhe ai do të kthehet në ditët e rinisë së tij.

26. Do t'i lutet fort Perëndisë, do të gjejë hir pranë tij dhe do të mund të sodisë fytyrën e tij me gëzim, sepse Perëndia do ta ketë rivendosur njeriun në drejtësinë e tij.

27. Duke iu drejtuar njerëzve, do të thotë: "Kam mëkatuar dhe kam shkelur drejtësinë, dhe nuk u ndëshkova siç e meritoja.

28. Perëndia i ka shpenguar shpirtin tim, që të mos zbriste në gropë dhe jeta ime mund të shohë dritën".

29. Ja, Perëndia e bën këtë dy herë, tri herë me njeriun,

30. për të shpëtuar shpirtin e tij nga gropa dhe për ta ndriçuar me dritën e jetës.

31. Ki kujdes, Jobi, dëgjomë; rri në heshtje, dhe unë do të flas.

32. Në qoftë se ke diçka për të thënë, përgjigjmu, fol, sepse do të dëshiroja të të jepja të drejtë.

Lexoni kapitullin e plotë Jobi 33