Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jobi 3:11-25 Bibla Shqip (ALBB)

11. Pse nuk vdiqa në barkun e nënës sime? Pse nuk vdiqa sapo dola nga barku i saj?

12. Pse vallë më kanë pritur gjunjët, dhe gjinjtë për të pirë?

13. Po, tani do të dergjesha i qetë, do të flija dhe do të pushoja,

14. bashkë me mbretërit dhe me këshilltarët e dheut, që kanë ndërtuar për vete rrënoja të shkretuara,

15. ose bashkë me princat që kishin ar ose që mbushën me argjend pallatet e tyre.

16. Ose pse nuk qeshë si një dështim i fshehur, si fëmijët që nuk e kanë parë kurrë dritën?

17. Atje poshtë të këqijtë nuk brengosen më, atje poshtë çlodhen të lodhurit.

18. Atje poshtë të burgosurit janë të qetë bashkë, dhe nuk e dëgjojnë më zërin e xhelatit.

19. Atje poshtë ka të vegjël dhe të mëdhenj, dhe skllavi është i lirë nga pronari i tij.

20. Pse t'i japësh dritë fatkeqit dhe jetën atij që ka shpirtin në hidhërim,

21. të cilët presin vdekjen që nuk vjen, dhe e kërkojnë më tepër se thesaret e fshehura;

22. gëzohen shumë dhe ngazëllojnë kur gjejnë varrin?

23. Pse të lindë një njeri rruga e të cilit është fshehur, dhe që Perëndia e ka rrethuar nga çdo anë?

24. Në vend që të ushqehem, unë psherëtij, dhe rënkimet e mia burojnë si uji.

25. Sepse ajo që më tremb më shumë më bie mbi krye, dhe ajo që më tmerron më ndodh.

Lexoni kapitullin e plotë Jobi 3