Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jobi 24:7-21 Bibla Shqip (ALBB)

7. E kalojnë natën lakuriq, pa rroba, dhe nuk kanë me se të mbulohen nga të ftohtit.

8. Të lagur nga rrebeshet që vijnë nga malet, për mungesë strehe shtrëngohen pas shkëmbinjve.

9. Të tjerë e rrëmbejnë nga gjiri jetimin dhe marrin pengje nga të varfrit.

10. E detyrojnë të varfrin të shkojë pa rroba dhe u marrin duajt të uriturve.

11. Bëjnë vaj midis mureve të të pabesëve, e shtrydhin rrushin në trokull, por kanë etje.

12. Vajtimi i atyre që po vdesin ngrihet nga qyteti, shpirti i të plagosurve kërkon ndihmë, por Perëndia nuk i vë mend të keqes që u ka bërë.

13. Të tjerë janë armiq të dritës, nuk njohin rrugët e saj dhe nuk qëndrojnë në shtigjet e saj.

14. Vrasësi ngrihet në të gdhirë, për të vrarë të varfrin dhe nevojtarin; natën përkundrazi sillet si vjedhësi.

15. Syri i shkelësit të kurorës bashkëshortore pret muzgun duke menduar: "Askush nuk do të më shohë", dhe vë një vel mbi fytyrën e tij.

16. Natën depërtojnë nëpër shtëpitë; ditën rrinë mbyllur; nuk e njohin dritën.

17. Mëngjesi është për ta si hija e vdekjes, sepse ata i njohin mirë tmerret e hijes së vdekjes.

18. Kalojnë shpejt mbi sipërfaqen e ujërave, pjesa e tyre është e mallkuar mbi tokë, dhe askush nuk do të hynte më në vreshtat e tyre.

19. Ashtu si thatësia dhe vapa tretin ujërat e dëborës, kështu bën edhe Sheoli me atë që ka mëkatuar.

20. Gjiri i nënës e harron, krimbat e hanë duke e shijuar; atë nuk do ta kujtojnë më; i keqi do të pritet si një dru.

21. Ai gëlltiste gruan shterpë që nuk ka fëmijë dhe nuk i bënte asnjë të mirë gruas së ve!

Lexoni kapitullin e plotë Jobi 24