Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 8:9-22 Bibla Shqip (ALBB)

9. Njerëzit e ditur do të turpërohen, do të tremben dhe do të kapen. Ja, kanë hedhur poshtë fjalën e Zotit; çfarë diturie mund të kenë?

10. Prandaj bashkëshortet e tyre do t'ua jap të tjerëve dhe arat e tyre pronarëve të rinj, sepse nga më i vogli deri te më i madhi lakmojnë fitime; nga profeti deri te prifti të gjithë përdorin gënjeshtrën.

11. Ata mjekojnë shkel e shko plagën e bijës së popullit tim, duke thënë: "Paqe, paqe", kur nuk ekziston paqja.

12. A u vinte turp vallë kur kryenin veprime të neveritshme? Jo! nuk kishin turp aspak dhe nuk dinin ç'është të skuqesh. Prandaj do të rrëzohen midis atyre që rrëzohen; kur do t'i vizitoj do të përmbysen", thotë Zoti.

13. Do t'i shfaros me siguri", thotë Zoti. "Nuk do të ketë më rrush te hardhia as fiq te fiku dhe gjethet do të fishken. Edhe gjërat që u kam dhënë do t'u hiqen".

14. "Pse rrimë ulur? Mblidhuni dhe të hyjmë në qytetet e fortifikuara, dhe në to të vdesim. Sepse Zoti, Perëndia ynë, na bën të vdesim dhe na bën të pimë ujë të helmuar, sepse kemi mëkatuar kundër Zotit.

15. Prisnim paqen, por nuk erdhi asnjë e mirë, një kohë shërimi, por ja, terrori".

16. Nga Dani dëgjohet turfullima e kuajve të tij; në zhurmën e hingëllimave të kuajve të tij të luftës dridhet gjithë vendi, sepse vijnë dhe gllabërojnë vendin dhe tërë ato që ai ka, qytetin dhe banorët e tij.

17. "Sepse ja, unë do të dërgoj kundër jush gjarpërinj dhe nepërka, kundër të cilëve nuk vlen asnjë yshtje dhe ata do t'ju kafshojnë", thotë Zoti.

18. Sikur të gjeja ngushëllim për dhembjen time. Zemra po më ligështohet përbrenda.

19. Ja një zë: është britma e bijës së popullit tim nga një tokë e largët: "Mos vallë Zoti është në Sion? A nuk është mbreti i tij në mes të tij?". "Pse kanë ngacmuar zemërimin tim me shëmbëlltyrat e tyre të gdhendura dhe me idhuj të huaj?".

20. Korrja ka mbaruar, vera ka marrë fund dhe ne nuk kemi shpëtuar.

21. Për plagën e bijës së popullit tim jam i dëshpëruar, po mbaj zi, jam i tmerruar.

22. A nuk ka vallë ndonjë balsam në Galaad, a nuk ka atje ndonjë mjek? Pse, pra, nuk po i vjen shërimi bijës së popullit tim?

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 8