Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 52:16-27 Bibla Shqip (ALBB)

16. Por Nebuzaradani, komandanti i rojeve, la disa nga më të varfrit e vendit të punojnë vreshtat dhe arat.

17. Kaldeasit i copëtuan shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit dhe e çuan bronzin në Babiloni.

18. Ata morën edhe tiganët, kunjat, thikat, legenët, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin në shërbimin e tempullit.

19. Komandanti i rojës mori gjithashtu kupat, mangallet, legenët, shandanët, tasat dhe kupat, arin e sendet që ishin prej ari të kulluar dhe argjendin e kulluar.

20. Sa për dy kolonat, për detin dhe për të dymbëdhjetë qetë prej bronzi që ishin poshtë tij dhe për qerret që Salomoni kishte bërë për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre sendeve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.

21. Për sa u përket shtyllave, lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; dhe duhej një fill prej dymbëdhjetë kubitësh për të matur rrethin e tyre; trashësia e saj ishte katër gishtërinj; nga brenda ishte bosh.

22. Mbi të ngrihej një kapitel prej bronzi, lartësia e një kapiteli ishte pesë kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë, të gjitha prej bronzi. Shtylla tjetër me shegë, ishte e njëllojtë me të.

23. Rreth e qark kishte nëntëdhjetë e gjashtë shegë dhe tërë shegët rrotull rrjetëzës arrinin në njëqind.

24. Komandanti i rojës mori Serajahun, kryepriftin, Sofonian, priftin e dytë, dhe tre rojtarë të portës.

25. Nga qyteti ai mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët, shtatë burra ndër këshilltarët personalë të mbretit që u gjetën në qytet, sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit dhe gjashtëdhjetë burra nga populli i vendit që u gjetën në qytet.

26. Kështu Nebuzaradani, komandanti i rojeve, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah,

27. dhe mbreti i Babilonisë i vrau në Riblah, në vendin e Hamathit.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 52