Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 52:1-18 Bibla Shqip (ALBB)

1. Sedekia ishte njëzetenjë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, e bija e Jeremias nga Libnahu.

2. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha gjërat ashtu si kishte bërë Jehojakimi.

3. Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, që më në fund i dëboi nga prania e tij. Pastaj Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.

4. Në vitin e nëntë të mbretërimit të tij, në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, fushoi kundër tij dhe ndërtoi rreth e rrotull ledhat.

5. Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.

6. Në muajin e katërt, më nëntë të muajit, uria ishte aq e rëndë në qytet, sa që nuk kishte më bukë për popullin e vendit.

7. Atëherë u hap një e çarë në muret dhe të gjithë luftëtarët ikën, duke dalë natën nga qyteti nëpër portën midis dy mureve, e cila ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu ata morën rrugën e Arabahut.

8. Por ushtria e kaldeasve ndoqi mbretin, e arriti Sedekian në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij po shpërndahej larg tij.

9. Kështu ata zunë mbretin dhe e çuan në Riblah, në vendin e Hamathit te mbreti i Babilonisë, që shqiptoi vendimin kundër tij.

10. Mbreti i Babilonisë vrau pastaj bijtë e Sedekias para syve të tij dhe vrau gjithashtu tërë princat e Judës në Riblah;

11. pastaj i nxori sytë Sedekias. Mbreti i Babilonisë e lidhi me pranga prej bronzi, e çoi në Babiloni dhe e futi në burg deri ditën e vdekjes së tij.

12. Muajin e pestë, më dhjetë të muajit (që ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë), Nebuzaradani, komandanti i rojeve personale në shërbim të mbretit të Babilonisë, arriti në Jeruzalem.

13. Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe shtëpinë e mbretit dhe u vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit dhe tërë shtëpive të fisnikëve.

14. Tërë ushtria e kaldeasve që ishte me komandantin e rojeve rrëzoi të gjitha muret rreth e qark Jeruzalemit.

15. Pastaj Nebuzaradani, komandanti i rojeve, internoi pjesën më të varfër të popullit; pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që kishin kaluar në shërbim të mbretit të Babilonisë dhe kusurin e popullsisë.

16. Por Nebuzaradani, komandanti i rojeve, la disa nga më të varfrit e vendit të punojnë vreshtat dhe arat.

17. Kaldeasit i copëtuan shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit dhe e çuan bronzin në Babiloni.

18. Ata morën edhe tiganët, kunjat, thikat, legenët, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin në shërbimin e tempullit.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 52