Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 51:15-27 Bibla Shqip (ALBB)

15. Ai ka bërë tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij.

16. Kur nxjerr zërin e tij, ka një zhurmë ujërash në qiell; ai bën që të ngjiten avujt nga skajet e tokës, prodhon rrufetë për shiun dhe e nxjerr erën nga depozitat e tij.

17. Çdo njeri atëherë bëhet budalla, pa njohuri, çdo argjendar ka turp për shëmbëlltyrën e tij të gdhendur, sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është një gënjeshtër, dhe nuk ka frymë jetësore në to.

18. Janë kotësi, vepra mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre do të zhduken.

19. Trashëgimia e Jakobit nuk është si ata, sepse ai ka sajuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zoti i ushtrive.

20. "Ti je për mua një çekiç, një mjet lufte; me ty do të shtyp kombet, me ty do të shkatërroj mbretëritë;

21. me ty do të copëtoj kalë dhe kalorës, me ty do të copëtoj qerre dhe karrocier;

22. me ty do të copëtoj burrë dhe grua, me ty do të copëtoj plak dhe fëmijë, me ty do të copëtoj të riun dhe virgjëreshën;

23. me ty do të copëtoj bariun dhe kopenë e tij, me ty do të copëtoj katundarin dhe pendën e tij të qeve, me ty do të copëtoj qeveritarët dhe gjykatësit.

24. Por unë do t'i shpërblej Babiloninë dhe tërë banorët e Kaldesë për tërë të keqen që i kanë bërë Sionit para syve tuaj", thotë Zoti.

25. "Ja ku jam kundër teje, o mal i shkatërrimit", thotë Zoti, "ti që shkatërron tërë tokën. Unë do të shtrij dorën time kundër teje, do të të rrokullis poshtë nga shkëmbinjtë dhe do të të bëj një mal të djegur.

26. Nga ti nuk do të merren më as gurë të qoshes, as gurë themeli, por ti do të bëhesh një shkreti përjetë, thotë Zoti.

27. Ngrini një flamur në vend, bjerini borisë midis kombeve; përgatitni kombet kundër saj, thirrni të mblidhen kundër saj mbretëritë e Araratit, Minit dhe Ashkenazit. Emëroni kundër saj një komandant. Bëni që të përparojnë kuajt si karkaleca të kreshtë.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 51