Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 50:35-46 Bibla Shqip (ALBB)

35. Një shpatë kërcënon kaldeasit", thotë Zoti, "banorët e Babilonisë, princat e tij, të diturit e saj.

36. Një shpatë kërcënon gënjeshtarët mburravecë, që do të rezultojnë pa mend; një shpatë kërcënon trimat e saj, që do të tmerrohen.

37. Një shpatë kërcënon kuajt e saj, qerret e saj dhe mbi lëmshin e njerëzve që është në mes të saj, e cila do të bëhet si shumë gra; një shpatë kërcënon thesaret e saj, që do të plaçkiten.

38. Thatësira kërcënon ujërat e saj, që do të thahen, sepse është një vend figurash të gdhendura dhe ata luajnë mendsh për idhujt e tyre.

39. Prandaj do të banojnë aty kafshët e shkretëtirës me çakejtë dhe do të vendosen aty strucët. Nuk do të banohet kurrë më, as do të popullohet brez pas brezi.

40. Ashtu si Perëndia shkatërroi Sodomën, Gomorrën dhe qytetet afër tyre", thotë Zoti, "kështu nuk do të banojë më aty askush dhe nuk do të qëndrojë më aty asnjë bir njeriu.

41. Ja, një popull vjen nga veriu; një komb i madh dhe shumë mbretër kanë dalë nga skajet e tokës.

42. Ata mbajnë në dorë harkun dhe shtizën; janë të egër dhe nuk kanë fare mëshirë; zëri i tyre do të gjëmojë si deti. U hipin kuajve, janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Babilonisë.

43. Mbreti i Babilonisë ka dëgjuar të flitet për ta dhe duart e tij dobësohen; e ka zënë ankthi, dhembjet si një grua që po lind.

44. Ja, po del si një luan nga vërshimi i Jordanit kundër banesës së fortë. Por unë do të bëj që të ikin befas prej saj dhe do të vendos mbi të atë që kam zgjedhur. Kush është, pra, si unë dhe kush mund të më paditë në gjyq? Kush është, pra, ai bari që mund të më bëjë ballë?

45. Prandaj dëgjoni planin që Zoti ka menduar kundër Babilonisë dhe vendimet që ka marrë kundër vendit të kaldeasve. Me siguri do të tërhiqen edhe më të vegjlit e kopesë, me siguri banesa e tyre do të shkatërrohet.

46. Në zhurmën e pushtimit të Babilonisë toka do të dridhet dhe ulërima e tyre do të dëgjohet midis kombeve".

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 50