Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 50:28-40 Bibla Shqip (ALBB)

28. Dëgjohet zëri i atyre që ikin dhe shpëtojnë nga vendi i Babilonisë për të lajmëruar në Sion hakmarrjen e Zotit, Perëndisë tonë, hakmarrjen e tempullit të tij.

29. Mblidhni kundër Babilonisë tërë harkëtarët, tërë ata që nderin harkun. Fushoni rreth e qark kundër asaj, asnjë të mos ju shpëtojë. Shpërbleheni sipas veprave të saj, i bëni asaj pikërisht atë që ajo u ka bërë të tjerëve, sepse ka qenë arrogante kundër Zotit, kundër të Shenjtit të Izraelit.

30. Prandaj të rinjtë e saj do të bien në sheshet e saj dhe tërë luftëtarët e saj do të vdesin atë ditë", thotë Zoti.

31. "Ja ku jam kundër teje, o arrogante", thotë Zoti i ushtrive, "sepse erdhi dita jote, koha në të cilën unë do të të ndëshkoj.

32. Arrogantja do të tronditet dhe do të rrëzohet, dhe askush nuk do ta ngrejë. Unë do t'u vë zjarrin qyteteve të saj dhe ai do të përpijë gjithçka që e rrethon".

33. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Bijtë e Izraelit ishin të shtypur bashkë me bijtë e Judës. Tërë ata që i kanë çuar në robëri i kanë mbajtur me forcë dhe nuk kanë pranuar t'i lënë të ikin.

34. Shpëtimtari i tyre është i fortë; emri i tij është Zoti i ushtrive. Ai me siguri do të mbrojë çështjen e tyre, për t'i dhënë prehje dheut dhe për t'i bërë të drithërohen banorët e Babilonisë.

35. Një shpatë kërcënon kaldeasit", thotë Zoti, "banorët e Babilonisë, princat e tij, të diturit e saj.

36. Një shpatë kërcënon gënjeshtarët mburravecë, që do të rezultojnë pa mend; një shpatë kërcënon trimat e saj, që do të tmerrohen.

37. Një shpatë kërcënon kuajt e saj, qerret e saj dhe mbi lëmshin e njerëzve që është në mes të saj, e cila do të bëhet si shumë gra; një shpatë kërcënon thesaret e saj, që do të plaçkiten.

38. Thatësira kërcënon ujërat e saj, që do të thahen, sepse është një vend figurash të gdhendura dhe ata luajnë mendsh për idhujt e tyre.

39. Prandaj do të banojnë aty kafshët e shkretëtirës me çakejtë dhe do të vendosen aty strucët. Nuk do të banohet kurrë më, as do të popullohet brez pas brezi.

40. Ashtu si Perëndia shkatërroi Sodomën, Gomorrën dhe qytetet afër tyre", thotë Zoti, "kështu nuk do të banojë më aty askush dhe nuk do të qëndrojë më aty asnjë bir njeriu.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 50