Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 50:20-33 Bibla Shqip (ALBB)

20. Në ato ditë, në atë kohë", thotë Zoti, "do të kërkohet paudhësia e Izraelit, por nuk do të ketë fare, dhe mëkatet e Judës nuk do të gjenden; sepse unë do t'i fal ata që do të lë të gjallë.

21. Dil kundër vendit të Merathaimit dhe kundër banorëve të Pekodit. Shkatërro dhe vendos shfarosjen e tyre", thotë Zoti, "dhe bëj pikërisht ashtu si të kam urdhëruar!

22. Në vend ka zhurmë lufte dhe shkatërrimi është i madh.

23. Pse është bërë copë dhe është shkatërruar çekiçi i tërë tokës? Pse Babilonia është bërë një shkreti midis kombeve?

24. Të kam ngritur një lak dhe ti je zënë prej tij, o Babiloni, pa e kuptuar fare. U gjete dhe u pushtove, sepse ke bërë luftë kundër Zotit.

25. Zoti hapi arsenalin e tij dhe nxori jashtë armët e indinjatës së tij, sepse kjo është një vepër që Zoti, Zoti i ushtrive, duhet ta kryejë në vendin e kaldeasve.

26. Ejani kundër saj nga skajet më të largëta, hapni hambarët e saj, bëjini një grumbull gërmadhash dhe vendosni shfarosjen e saj, që të mos mbetet asgjë.

27. Vritni të gjithë demat e saj, le të zbresin në kasaphanë. Mjerë ata, sepse erdhi dita e tyre, dita e ndëshkimit të tyre.

28. Dëgjohet zëri i atyre që ikin dhe shpëtojnë nga vendi i Babilonisë për të lajmëruar në Sion hakmarrjen e Zotit, Perëndisë tonë, hakmarrjen e tempullit të tij.

29. Mblidhni kundër Babilonisë tërë harkëtarët, tërë ata që nderin harkun. Fushoni rreth e qark kundër asaj, asnjë të mos ju shpëtojë. Shpërbleheni sipas veprave të saj, i bëni asaj pikërisht atë që ajo u ka bërë të tjerëve, sepse ka qenë arrogante kundër Zotit, kundër të Shenjtit të Izraelit.

30. Prandaj të rinjtë e saj do të bien në sheshet e saj dhe tërë luftëtarët e saj do të vdesin atë ditë", thotë Zoti.

31. "Ja ku jam kundër teje, o arrogante", thotë Zoti i ushtrive, "sepse erdhi dita jote, koha në të cilën unë do të të ndëshkoj.

32. Arrogantja do të tronditet dhe do të rrëzohet, dhe askush nuk do ta ngrejë. Unë do t'u vë zjarrin qyteteve të saj dhe ai do të përpijë gjithçka që e rrethon".

33. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Bijtë e Izraelit ishin të shtypur bashkë me bijtë e Judës. Tërë ata që i kanë çuar në robëri i kanë mbajtur me forcë dhe nuk kanë pranuar t'i lënë të ikin.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 50