Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 50:11-22 Bibla Shqip (ALBB)

11. "Gëzohuni dhe kënaquni, o plaçkitës të trashëgimisë sime, sepse jeni majmur si një mëshqerrë që shin grurin dhe hingëlloni si kuajt e fuqishëm të luftës.

12. Nëna juaj do të turpërohet me të madhe, ajo që ju ka lindur do të skuqet. Ja, ajo do të jetë kombi i fundit, një shkreti, një tokë shterpë, një vetmi.

13. Për shkak të zemërimit të Zotit nuk do të banohet më aty, do të jetë një shkreti e plotë; kushdo që do të kalojë pranë Babilonisë do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë për të gjitha plagët e saj.

14. Radhituni rreth Babilonisë, o ju të gjithë harkëtarët. Gjuani kundër saj, mos kurseni asnjë shigjetë, sepse ka mëkatuar kundër Zotit.

15. Lëshoni klithma lufte kundër saj rreth e përqark; ajo është dorëzuar, themelet e saj kanë rënë, muret e saj janë shembur, sepse kjo është hakmarrja e Zotit. Hakmerruni me të. Bëjini asaj atë që ajo u ka bërë të tjerëve.

16. Shfarosni nga Babilonia atë që mbjell dhe zë draprin në kohën e korrjes. Nga frika e shpatës së shtypësit secili do të kthehet te populli i tij, secili do të turret në vendin e tij.

17. Izraeli është një dele e humbur, të cilën e ndoqën luanët; i pari që e gllabëroi ishte mbreti i Asirisë, pastaj ky i fundit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, që ia ka thyer kockat".

18. Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do dënoj mbretin e Babilonisë dhe vendin e tij, ashtu si dënova mbretin e Asirisë.

19. Por do ta çoj përsëri Izraelin në kullotën e tij, do të kullotë në Karmel dhe në Bashan dhe shpirti i i tij do të ngopet në kodrinat e Efraimit dhe në Galaad.

20. Në ato ditë, në atë kohë", thotë Zoti, "do të kërkohet paudhësia e Izraelit, por nuk do të ketë fare, dhe mëkatet e Judës nuk do të gjenden; sepse unë do t'i fal ata që do të lë të gjallë.

21. Dil kundër vendit të Merathaimit dhe kundër banorëve të Pekodit. Shkatërro dhe vendos shfarosjen e tyre", thotë Zoti, "dhe bëj pikërisht ashtu si të kam urdhëruar!

22. Në vend ka zhurmë lufte dhe shkatërrimi është i madh.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 50