1. Fjala që Zoti shqiptoi kundër Babilonisë dhe kundër vendit të kaldeasve me anë të profetit Jeremia:
2. "Shpalleni midis kombeve, shpalleni dhe ngrini një flamur; shpalleni dhe mos e fshihni. Thoni: "Babilonia, u pushtua, Beli është mbuluar me turp, Meradoku është thyer, shëmbëlltyrat e tij janë mbuluar me turp, idhujt e tij janë copëtuar".
3. Sepse nga veriu kundër tij po ngrihet një komb që do ta katandisë vendin në një shkretëtirë dhe askush nuk do të banojë në të; njerëzit dhe kafshët do t'ia mbathin, do të ikin.
4. Në ato ditë dhe në atë kohë", thotë Zoti, "bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës do të vijnë bashkë; do të ecin duke qarë dhe do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre.
5. Do të pyesin për rrugën e Sionit, drejt të cilit do të kthejnë fytyrat e tyre, duke thënë: "Ejani, të bashkohemi me Zotin, me një besëlidhje të përjetshme, që të mos harrohet më".
6. Populli im ka qenë një kope dhensh të humbura; barinjtë e tyre i kishin bërë të marrin kot, të humbin nëpër male. Kanë shkuar nga mali në kodër dhe kanë harruar vendin ku ata pushojnë.