Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 49:9-22 Bibla Shqip (ALBB)

9. Po të vinin disa vjelës rrushi te ti nuk do të linin ndonjë vilëz për të mbledhur? Po të vinin disa vjedhës te ti natën do të shkatërronin vetëm sa u mjafton.

10. Por unë do ta zbuloj Esaun dhe do të gjej vendet e fshehta të tij, dhe ai nuk do të mund të fshihet më. Pasardhësit të tij, vëllezërit e tij dhe fqinjët e tij do të shkatërrohen, dhe ai nuk do të jetë më.

11. Lëri jetimët e tu, unë do t'i ruaj të gjallë në jetë dhe gratë e tua të veja le të kenë besim tek unë".

12. Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ata që nuk ishin destinuar ta pinin kupën, do ta pinë me siguri; dhe ti do të jesh krejt i pandëshkuar? Nuk do të jesh krejt i pandëshkuar, por do ta pish me siguri.

13. Meqenëse unë jam betuar në veten time", thotë Zoti, "Botsrahu do të bëhet një objekt habie dhe talljeje, një shkreti dhe një mallkim, dhe tërë qytetet e tij do të jenë të shkreta përjetë.

14. Dëgjova një mesazh nga Zoti, dhe një lajmëtar iu dërgua kombeve: "Mblidhuni dhe nisuni kundër tij; çohuni për betejën".

15. Por ja unë do të të bëj të vogël midis kombeve dhe të përbuzur midis njerëzve.

16. Tmerri që kallje dhe kryelartësia e zemrës sate të kanë joshur, o ti që banon në të çarat e shkëmbinjve, që pushton majat e kodrave; edhe sikur të bëje folenë tënde lart si shqiponja, unë do të bëj që ti të biesh poshtë nga atje lart", thotë Zoti.

17. Edomi do të bëhet objekt habie; kushdo që do t'i kalojë afër do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë për të gjitha plagët e tij.

18. Ashtu si në shkatërrimin e Sodomës dhe të Gomorrës, si dhe të qyteteve afër tyre", thotë Zoti, "askush nuk do të banojë më në to dhe asnjë bir njeriu nuk do të gjejë strehë.

19. Ja, ai do të dalë si një luan nga fryrja e Jordanit kundër banesës së fortë; unë do të bëj që ai papritmas të ikë që andej dhe do të vendos mbi të atë që kam zgjedhur. Kush është në fakt si unë? Kush do të më nxjerrë në gjyq? Kush është, pra, bariu që mund të më bëjë ballë?

20. Prandaj dëgjoni planin që Zoti ka menduar kundër Edomit dhe vendimet që ka marrë kundër banorëve të Temanit. Me siguri do të tërhiqen edhe më të vegjlit e kopesë, me siguri banesa e tyre do të shkretohet.

21. Në zhurmën e rënies së tyre toka do të dridhet; zhurma e britmës së tyre do të dëgjohet deri në Detin e Kuq.

22. Ja, armiku po del, po nis fluturimin si shqiponja dhe po hap krahët e tij drejt Botsrahut, dhe zemra e trimave të Edomit atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 49