Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 49:24-39 Bibla Shqip (ALBB)

24. Damasku është bërë i flashkët, kthehet për të ikur, e ka kapur një dridhmë; ankthi dhe dhembjet e sulmojnë si një grua që është duke lindur.

25. "Vallë si nuk është braktisur qyteti i lavdërimit, qyteti i gëzimit tim?

26. Prandaj të rinjtë e tij do të rrëzohen në sheshet e tij dhe tërë luftëtarët do të vdesin atë ditë", thotë Zoti i ushtrive.

27. "Unë do të ndez zjarrin në muret e Damaskut dhe ai do të gllabërojë pallatet e Ben-Hadadit".

28. Kundër Kedarit dhe mbretërive të Hatsorit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, ka mundur. Kështu thotë Zoti: "Çohuni, dilni kundër Kedarit dhe shkatërroni bijtë e lindjes.

29. Çadrat e tyre dhe kopetë e tyre do të merren; shatorret e tyre, tërë veglat e tyre dhe devetë e tyre do të çohen tutje; do t'u bërtasin atyre: "Tmerr nga të gjitha anët".

30. Ikni, shkoni larg të banoni në thellësitë e tokës, o banorë të Hatsorit", thotë Zoti, "sepse Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, ka hartuar një projekt kundër jush, ka menduar një plan kundër jush.

31. Çohuni, dilni kundër një kombi të qetë që banon në siguri", thotë Zoti, "që nuk ka as dyer as shula dhe banon i vetmuar.

32. Devetë e tyre do t'i çojnë tutje si plaçkë lufte dhe shumica e bagëtisë së tyre si pre. Unë do t'i shpërndaj në të gjitha drejtimet ata që presin cepat e mjekrës dhe do të bëj që t'u vijë fatkeqësia nga të gjitha anët", thotë Zoti.

33. "Hatsori do të bëhet një vend ku do të banojnë çakejtë, një shkreti për gjithmonë; askush nuk do të banojë më aty dhe asnjë bir njeriu nuk do të qëndrojë aty".

34. Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër Elamit, në fillim të mbretërimit të Sedekias, mbret i Judës, duke thënë:

35. "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ja, unë do të copëtoj harkun e Elamit, bazën e forcës së tij.

36. Unë do të sjell kundër Elamit katër erërat nga katër skajet e qiellit; do ta shpërndaj në drejtim të të gjitha erërave dhe nuk do të ketë komb ku të mos arrijnë ikanakët e Elamit.

37. Do t'i bëj elamitët të tremben përpara armiqve të tyre dhe para atyre që kërkojnë jetën e tyre; do të sjell mbi ta gjëmën, zemërimin tim të zjarrtë", thotë Zoti. "Do t'u dërgoj pas shpatën derisa t'i kem konsumuar.

38. Do ta vendos pastaj fronin tim në Elam dhe do të bëj që të zhduken mbretërit dhe princat", thotë Zoti.

39. "Por ditët e fundit do të ndodhë që unë do ta kthej Elamin nga robëria", thotë Zoti.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 49