Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 49:22-31 Bibla Shqip (ALBB)

22. Ja, armiku po del, po nis fluturimin si shqiponja dhe po hap krahët e tij drejt Botsrahut, dhe zemra e trimave të Edomit atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.

23. Kundër Damaskut. Hamathia dhe Arpadi janë mbuluar me turp, sepse kanë dëgjuar një lajm të keq; po ligështohen; ka një stuhi të madhe mbi det, që nuk mund të qetësohet.

24. Damasku është bërë i flashkët, kthehet për të ikur, e ka kapur një dridhmë; ankthi dhe dhembjet e sulmojnë si një grua që është duke lindur.

25. "Vallë si nuk është braktisur qyteti i lavdërimit, qyteti i gëzimit tim?

26. Prandaj të rinjtë e tij do të rrëzohen në sheshet e tij dhe tërë luftëtarët do të vdesin atë ditë", thotë Zoti i ushtrive.

27. "Unë do të ndez zjarrin në muret e Damaskut dhe ai do të gllabërojë pallatet e Ben-Hadadit".

28. Kundër Kedarit dhe mbretërive të Hatsorit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, ka mundur. Kështu thotë Zoti: "Çohuni, dilni kundër Kedarit dhe shkatërroni bijtë e lindjes.

29. Çadrat e tyre dhe kopetë e tyre do të merren; shatorret e tyre, tërë veglat e tyre dhe devetë e tyre do të çohen tutje; do t'u bërtasin atyre: "Tmerr nga të gjitha anët".

30. Ikni, shkoni larg të banoni në thellësitë e tokës, o banorë të Hatsorit", thotë Zoti, "sepse Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, ka hartuar një projekt kundër jush, ka menduar një plan kundër jush.

31. Çohuni, dilni kundër një kombi të qetë që banon në siguri", thotë Zoti, "që nuk ka as dyer as shula dhe banon i vetmuar.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 49