Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 49:1-13 Bibla Shqip (ALBB)

1. Kundër bijve të Amonit. Kështu thotë Zoti: "Izraeli vallë nuk ka bij, nuk ka asnjë trashëgimtar? Pse, pra, Malkami bëhet zot i Gadit dhe populli i tij është vendosur në qytetet e tij?

2. Prandaj ja, ditët po vijnë, thotë Zoti, në të cilat unë do të bëj që të dëgjohet thirrja e luftës e bijve të Amonit kundër Rabahut; ai do të bëhet një grumbull gërmadhash dhe qytetet e tij do të konsumohen nga zjarri. Atëherë Izraeli do të shtjerë në dorë trashëgiminë e tij", thotë Zoti.

3. "Vajto o Heshbon, sepse Ai është shkatërruar; bërtisni, o ju qytete të Rabahut, ngjeshuni me thasë, vini kujën, vraponi sa andej e këtej brenda vathës sepse Malkami po shkon në robëri bashkë me priftërinjtë e tij dhe me princat e tij.

4. Pse mburresh nëpër lugina? Lugina jote është zbrazur, o bijë rebele, që kishe besim në thesaret e tua dhe thoshe: "Kush do të dalë kundër meje?".

5. Ja, unë do të bëj që të të zërë tmerri, thotë Zoti, Zoti i ushtrive, nga të gjithë ata që të rrethojnë, dhe ju do të dëboheni, secili drejt para tij, dhe nuk do të ketë njeri që t'i mbledhë ikanakët.

6. Por, mbas kësaj, unë do t'i kthej nga robëria djemtë e Amonit", thotë Zoti.

7. Kundër Edomit. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nuk ka më dituri në Teman? Vallë u ka munguar gjykimi të zgjuarve? Është tretur dituria e tyre?

8. Ikni me vrap, kthehuni prapa, shkoni të banoni në thellësitë e tokës, o banorë të Dedanit, sepse unë do të sjell fatkeqësinë e Esaut mbi të në kohën e ndëshkimit të tij.

9. Po të vinin disa vjelës rrushi te ti nuk do të linin ndonjë vilëz për të mbledhur? Po të vinin disa vjedhës te ti natën do të shkatërronin vetëm sa u mjafton.

10. Por unë do ta zbuloj Esaun dhe do të gjej vendet e fshehta të tij, dhe ai nuk do të mund të fshihet më. Pasardhësit të tij, vëllezërit e tij dhe fqinjët e tij do të shkatërrohen, dhe ai nuk do të jetë më.

11. Lëri jetimët e tu, unë do t'i ruaj të gjallë në jetë dhe gratë e tua të veja le të kenë besim tek unë".

12. Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ata që nuk ishin destinuar ta pinin kupën, do ta pinë me siguri; dhe ti do të jesh krejt i pandëshkuar? Nuk do të jesh krejt i pandëshkuar, por do ta pish me siguri.

13. Meqenëse unë jam betuar në veten time", thotë Zoti, "Botsrahu do të bëhet një objekt habie dhe talljeje, një shkreti dhe një mallkim, dhe tërë qytetet e tij do të jenë të shkreta përjetë.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 49