Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 48:27-43 Bibla Shqip (ALBB)

27. Izraeli vallë nuk ka qenë për ty një objekt talljeje? Mos u gjet vallë midis hajdutëve, sepse sa herë që ti flet për të ti po tund kokën?

28. Braktisni qytetet dhe shkoni të banoni në shkëmb, o banorë të Moabit, dhe bëhuni si pëllumbesha që bën folenë e saj në faqet e një gremine.

29. Kemi dëgjuar krenarinë e Moabit, jashtëzakonisht krenar, fodullëkun e tij, kryeneçësinë e tij, arrogancën e tij dhe mendjemadhësinë e zemrës së tij.

30. Unë e njoh tërbimin e tij", thotë Zoti, "që nuk ka përmbajtje, të mburrurit e tij që nuk ka përfunduar në asgjë.

31. Prandaj unë po ngre një vajtim mbi Moabin dhe do të lëshoj britma nëpër të gjithë Moabin; do të vajtohet për burrat e Kir-Heresit.

32. O vreshtë e Sibmahut, unë qaj për ty ashtu si qahet për Jazerin; shermendet e tua kanë arritur matanë detit, arrinin deri në detin e Jazerit. Shkatërruesi i tij është sulur mbi frytet e tua verore dhe mbi rrushin që do vilej.

33. Gëzimi dhe hareja janë zhdukur nga fusha pjellore dhe nga vendi i Moabit; bëra që të zhduket vera nga butet, askush nuk e shtrydh më rrushin me britma gëzimi, britmat e tyre nuk janë më britma gëzimi.

34. Për shkak të britmës së Heshbonit zëri i tyre u dëgjua deri në Elealeh dhe në Jehats, nga Tsoari deri në Horonaim, ashtu si një lopë trevjeçare; ujërat e Nimrimit madje janë bërë një shkreti.

35. Unë do të fik në Moab", thotë Zoti, "atë që ofron flijime mbi vendet e larta dhe atë që u djeg temjan perëndive të tij.

36. Prandaj zemra ime për Moabin do të qajë si fyejt, zemra ime do të qajë si fyejt për burrat e Kir-Heresit, sepse pasuria që kanë fituar ka humbur.

37. Sepse çdo kokë do të rruhet, çdo mjekër do të pritet, mbi të gjitha duart do të ketë të prera dhe mbi ijët do të jetë thesi.

38. Mbi të gjitha çatitë e Moabit dhe në sheshet e tij s'ka veçse vajtim, sepse unë e kam bërë copë-copë Moabin, si një enë që nuk ka më vlerë", thotë Zoti.

39. "Do të vajtojnë duke thënë: "Si u thye! Si ka kthyer Moabi paturpësisht kurrizin! Si është bërë Moabi tallja dhe frika e atyre që i rinë rrotull"".

40. Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ai do të nisë fluturimin si një shqiponjë dhe do t'i hapë krahët e tij në drejtim të Moabit.

41. Keriothi u pushtua, fortesat janë zënë dhe zemra e trimave të Moabit në atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.

42. Moabi do të shkatërrohet, nuk do të jetë më popull, sepse është ngritur kundër Zotit.

43. Frika, gropa, laku të kërcënojnë, o banor i Moabit" thotë Zoti.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 48