Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 46:6-20 Bibla Shqip (ALBB)

6. "Mos lejo që i shpejti të ikë dhe që trimi të shpëtojë. Në veri, pranë lumit Eufrat, ata po lëkunden dhe po rrëzohen.

7. Kush është ai që ngjitet si Nili, dhe ujërat e të cilit fryhen si ato të lumenjve?

8. Është Egjipti që ngjitet si Nili, dhe ujërat e të cilit po fryhen si ato të lumenjve. Ai thotë: "Do të dal, do të mbuloj tokën dhe do të shkatërroj qytetin dhe banorët e tij".

9. Ngarkohuni, o kuaj, dhe përparoni me rrëmbim, o qerre, le të dalin përpara burrat trima, ata të Etiopisë dhe të Putit që mbajnë mburojën dhe ata të Ludit që përdorin dhe shtrijnë harkun.

10. Kjo ditë për Zotin, për Zotin e ushtrive, është ditë hakmarrjeje, për t'u hakmarrë me armiqtë e tij. Shpata do të shfarosë, do të ngopet dhe do të dehet me gjakun e tyre, sepse Zoti, Zoti i ushtrive, bën një flijim në vendin e veriut, pranë lumit Eufrat.

11. Ngjitu në Galaad dhe merr ca balsam, o e virgjër, o bijë e Egjiptit. Më kot ti përdor barëra të shumta, nuk ka shërim për ty.

12. Kombet kanë marrë vesh poshtërsinë tënde dhe britma jote e dhembjes ka mbushur dheun, sepse trimi është penguar me një trim dhe që të dy kanë rënë bashkë".

13. Fjala që Zoti i drejtoi profetit Jeremia për ardhjen e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, për të goditur vendin e Egjiptit.

14. Shpalleni në Egjipt, bëjeni të ditur në Migdol, bëjeni të ditur në Nof dhe në Tahpanhes. Thoni: "Çohu dhe përgatitu, sepse shpata përpin çdo gjë që të rrethon".

15. Pse burrat e tu trima janë rrëzuar? Nuk mund të rezistojnë sepse Zoti i rrëzon.

16. Ai bën që të lëkunden shumë prej tyre, bien njëri mbi tjetrin dhe thonë: "Ja, të kthehemi te populli ynë dhe në vendlindje, larg shpatës vrastare".

17. Atje ata bërtasin: "Faraoni, mbreti i Egjiptit, nuk është veçse një zhurmë e madhe, që ka lënë të kalojë koha e caktuar".

18. "Siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive, "ai do të vijë si Tabori midis maleve, si Karmeli pranë detit.

19. Përgatit gjërat e nevojshme për robërinë, o bijë që banon në Egjipt, sepse Nofi do të bëhet një shkretëtirë dhe do të digjet, nuk do të banojë më askush në të.

20. Egjipti është si një mëshqerrë shumë e bukur, por i vjen shkatërrimi, i vjen nga veriu.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 46