Dhjata e Vjetër

Dhjata e Re

Jeremia 41:3-14 Bibla Shqip (ALBB)

3. Ishmaeli vrau gjithashtu tërë judenjtë që ishin me Gedaliahun në Mitspah dhe kaldeasit, luftëtarë që ndodheshin atje.

4. Të nesërmen e ditës që kishte vrarë Gedaliahun, kur akoma askush nuk e dinte këtë gjë,

5. ndodhi që erdhën disa nga Sikemi, nga Shilohu dhe nga Samaria, tetëdhjetë burra me mjekër të rruar, me rroba të grisura dhe me prerje në trup; ata mbanin në duart e tyre ofertat dhe temjanin që do të paraqitnin në shtëpinë e Zotit.

6. Ishmaeli, bir i Nethaniahut u doli përballë në Mitspah duke vajtuar ndërsa po ecte. Kur i takoi u tha: "Ejani te Gedaljahu, bir i Ahikamit".

7. Por kur arritën në mes të qytetit, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, tok me njerëzit që kishte me vete, i vrau dhe i hodhi në mes të një sterne.

8. Por ndër ta kishte dhjetë burra që i thanë Ishmaelit: "Mos na vrit, sepse në fushat kemi rezerva të fshehura gruri, elbi, vaji dhe mjalti". Atëherë ai u përmbajt dhe nuk i vrau me vëllezërit e tyre.

9. Sterna në të cilën Ishmaeli hodhi tërë kufomat e njerëzve që kishte vrarë bashkë me Gedaliahun është ajo që mbreti Asa kishte ndërtuar nga frika e Baashas, mbretit të Izraelit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, e mbushi me të vrarë.

10. Pastaj Ishmaeli i çoi si robër tërë ata që kishin mbetur nga populli që gjendej në Mitspah: vajzat e mbretit dhe tërë popullin që kishte mbetur në Mitspah dhe mbi të cilin Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte vendosur Gedaliahun, birin e Ahikamit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, i çoi si robër dhe u nis për të shkuar tek amonitët.

11. Por kur Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të mësuan tërë të keqen që kishte bërë Ishmaeli, bir i Nethaniahut,

12. morën gjithë njerëzit e tyre dhe shkuan të luftojnë kundër Ishmaelit, birit të Nethaniahut, dhe e gjetën pranë hauzit të madh që është në Gabaon.

13. Kur tërë populli që ishte me Ishmaelin pa Johananin, birin e Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të u gëzua.

14. Kështu tërë populli që Ishmaeli e kishte sjellë si rob nga Mitspahu u kthye dhe shkoi e u bashkua me Johanianin, birin e Kareahut.

Lexoni kapitullin e plotë Jeremia 41